Zbuloni grupin tek i cili do të shkojë Rabiot

Sport

Adrien Rabiot prej disa kohësh ka tërhequr vëmendjen e disa skuadrave të mëdha në Europë, duke qenë se mesfushori francez ka lajmëruar largimin e tij nga PSG. Muaj më parë flitej për një akord të Rabiot me Barcelonën, por gjithçka do të hidhej poshtë nga klubi spanjoll, ndërsa vetëm tani mesfushori 24-vjeçar ka zbuluar se me cilën skuadër ka patur bisedime konkrete për të ardhmen e tij. Juventus ka shfaqur interes konkret për Rabiot dhe francezi tha se mes tij dhe përfaqësuesve të kampionëve të Italisë ka patur edhe bisedime, ndonëse janë vetëm në fazat e para. Mesfushori e pëlqen një transferim të mundshëm tek skuadra bardhezi, duke qenë se ai e konsideron Juventusin si ndër klubet më të mëdha në Europë. Megjithatë, Rabiot lë një derë të hapur edhe për Manchester United.

24-vjeçari u përfol edhe vitin e kaluar për një kalim tek ‘djajtë e kuq’, por që nga ajo kohë, gjërat mesa duket nuk kanë ndryshuar dhe aq shumë. Rabiot tha se në fund vendimi do të jetë vetëm i tiji dhe se do të zbulojë se në cilën skuadër do të luajë në sezonin e ardhshëm sapo të kthehet nga pushimet. Në fillim të sezonit që sapo u mbyll, Rabiot refuzoi të rinovonte kontratën me PSG, duke u larguar këtë verë si lojtar i lirë. Për këtë arsye, parizienët nuk e kanë aktivizuar lojtarin që nga 11 dhjetori i vitit të kaluar dhe Rabiot është detyruar të bëjë edhe stërvitje individuale në mënyrë që të ruajë formën e tij fizike.