“Mos bëni gabimet e italianëve, vetëizolohuni” gazetari shqiptar i “Le Iene” u bën thirrje të gjithë bashkëkombësve

Aktualitet Botë/Rajon

Prej disa ditësh, gazetari shqiptar i “Le Iene”, i bërë i famshëm në vendin tonë për ndihmën e vyer për gjetjen e Alvin Berishës, është vëtëkarantinuar. Në statuset e tij në llogarinë në Facebook, Taulanti shprehet me shaka rreth kësaj eksperience të re, por sot ka bërë një apel për të gjithë shqiptarët duke u kërkuar të mësojnë nga gabimet e Italisë.

Në statusin e tij në Facebook, ai shkruan: ” Pa hyrë në asnjë term mjekësor (pasi bëhemi qesharakë), por duke u munduar të përcjell për miqtë dhe të afërmit në Shqipëri eksperiencën tashmë trejavore me situaten e emergjencës, do doja te ndaja me ju disa opinione shkurt.

Bëjmë humor, batuta, ironi, por në fund duhet të jemi seriozë me rregullat. Është bazike. Në fillim ne këtu e morëm lehtë. Edhe thirrjet apo sensibilizimi i autoriteteve nuk ishin aq bindëse, dhe ne vazhduam me ritmin e zakonshëm, kafe, dalje në qendra tregtare, restorante, xhiro nëpër Milano.

Pastaj erdhi vala e madhe, rritja e frikshme e numrit të të infektuarve dhe fatkeqësisht dhe të vdekjeve. Aty kuptuam se një pjesë të fajit e për situaten e kishte edhe neglizhenca jonë. Sot jemi ndërgjegjësuar dhe po zbatojmë me përpikmëri rregullat. Ju në Shqipëri e keni një shembull për të kuptuar sesi duhet vepruar. Keni eksperiencën tonë. Qindra shqiptarë këtej në Itali po shkruajnë pafund që duhet të jeni të kujdesshëm dhe të zbatoni rregullat. Besojini ju lutem. Lufta më e mirë ndaj këtij virusi është izolimi. Duke u izoluar, izoloni edhe atë”, shkruan Kopliku.

Sot pashë sesi të rinjtë kanë përfituar nga mbyllja e shkollave dhe kanë pushtuar lokalet. Të tjerë edhe më të rritur, bëjnë karshillëk me foto kafesh sikur janë Highlander 1.000 vjeçare, që si tremben asgjëje. Rrugët janë plot sikur ata 10 apo më shumë të infektuar në këto dy ditë, të kenë një grip tre ditor dhe jo një virus tmerrësisht ngjitës që merr jetë. Te rinjtë dalin dhe mburren se nuk i bën asgje ky virus. Dhe shifrat e kanë treguar se është i drejte ky arsyetim. Por mendoni pak sikur prindi, gjyshi, i afërmi i moshuar të infektohet pikërisht nga papërgjegjshmëria e këtij budallai se e kishte kaq të domosdoshme daljen dhe qëndrimin dy ore në kafe. Sa peshë do të ketë në ndërgjegje ky idiot apo idiote? Jetën e njeriut se kthen askush prapa, lokalet aty janë edhe pas tre javesh a një muaji. Mos i trajtojmë moshën e tretë si numra. Jeta është e shenjtë dhe prindi apo gjyshi nuk kanë moshë.

Të dashur miq! Vetëizolohuni. Evitoni sa më shumë daljet në publik. Kush ka punë, normal nuk do mund të jetë kaq rigoroz, por të paktën parazitllëqet e pijaces mund të evitohen gjatë ditëve që do bëhen shumë herë më të vështira. Është e vështirë por rruga e duhur”,