Shkon në 400 numri i të prekurve me Covid në vend, 6 raste të reja vetëm në Fier

Aktualitet Botë/Rajon

Në 24 orët e fundit janë shtuar 17 raste të reja të prekura me virusin Covid 19 duke e çuar numrin total të të infektuarve në 400. Numri total i të shëruarve ka arritur 154. Në deklaratën e përditshme nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, drejtoresha e ISHP, Albana Fico, rekomandoi që në rastet familjare të prekura të shmangen sa më shumë vizitat familjare.

Deklarata e plotë:

Në 24 orët e fundit janë testuar 236 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 17 raste të reja me COVID-19.

Deri në këto momente janë testuar 2989 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 400 raste.

Gjatë 24 orëve të fundit, 23 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 154.

Aktualisht janë 52 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar gjithsej. Nga këta 5 pacientë janë në terapi intensive, 1 në pavion, ndërsa 4 pacientë janë të intubuar.

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 58 pacientë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 9 raste, Elbasan 1 rast, Fier 6 raste dhe Shkodër 1 rast.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë 190 raste
– Durrës 38 raste
– Lushnje 5 raste
– Elbasan 12 raste
– Fier 32 raste
– Kavajë 8 raste
– Rrogozhinë 4 raste
– Korçë 17 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 45 raste
– Lezhë 14 raste
– Berat 2 rast
– Has 12 raste
– Krujë 5 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 4 raste
– Mirditë 3 raste