“Jemi qytetarë të thjeshtë para se të jemi mbretër” Elizabeth dhe Philip në radhë për të marrë vaksinën anti-Covid

Lifestyle

Ndonëse janë pjesë e familjes mbretërore, ndoshta më të rëndësishme e të njohur në Evropë, mbretëresha Elizabeth dhe princi Philip nuk kanë ndërmend aspak të përfitojnë nga titujt e tyre, por do të presin në radhë si mijëra britanikë për të bërë vaksinën anti-Covid Pfizer-BioNTech. Janë këto fjalët me të cilat e përditshmja “Daily Mail” ka njoftuar se mbretëresha, 94 vjeç, dhe bashkëshorti i saj, 99 vjeç, janë shprehur të gatshëm për të bërë vaksinën anti-Covid, e cila fillimisht do t’ju injektohet të gjithë qytetarëve anglezë mbi 80-vjeç.

Burime pranë familjes mbretërore bëjnë me dije se ata nuk dëshirojnë të marrin asnjë lloj favorizimi, përveçse të japin shembullin e tyre të mirë si qytetarë të përgjegjshëm, duke ndihmuar kështu të gjithë personat skeptikë lidhur me efektivitetin e vaksinës.

Sakaq, po të njëjtat burime kanë treguar se princi Charles dhe bashkëshortja e tij  Camilla, apo çifti i dukëve të Cambridge, Kate Middleton dhe princi William nuk do të përfitojnë nga kjo fazë e parë vaksinimi, derisa qeveria britanike të miratojë një ligj të ri.

Operacioni ”Courageous”, programi më i madh i vaksinimit masiv i kryer ndonjëherë në vend, do të nisë nga java e ardhshme. Vaksina, e krijuar nga Pfizer Inc. dhe BioNTech SE, ka mbërritur në vende të sigurta nga Belgjika, tha të dielën shefi i Departamentit të Shëndetit dhe Kujdesit Social. Pas kontrolleve të cilësisë për të siguruar që vaksinat janë mbajtur në temperaturën e duhur, me pas do të vihen në dispozicion për 50 qendra spitalore në të gjithë vendin, përpara se të shpërndahen në qendrat e vaksinimit të drejtuara nga mjekët që do të administrojnë shperndarjen dhe injektimin e tyre.