Si mund të kujdesemi për lulen tradicionale të Krishtlindjes

Lifestyle

poinsde

Është bima zbukuruese ideale për t’u vendosur mbi tavolinën e mesit në dhomën e ndenjes, mbi mermerin e oxhakut, në këndet e soxhiornos apo në këndet pranë vetratave, mbi vazo të mëdha e të larta, sipas tendencave të fundit. Vazot mund të jenë në formë trapezi këndor apo rrethore, ku përveç bukurisë së luleve, shtohen linjat e përkryera të vazove dhe format e tyre gjeometrike. Kjo përzgjedhje do ta bënte mjedisin ku rrimë më të ngrohtë, më miqësor, më të këndshëm, duke na krijuar sensacion gëzimi dhe krenarie. Natyrisht që do të ishte dhurata ideale për nënën, bashkëshorten, të fejuarën, mësuesen apo drejtuesit e kompanisë ku punojmë. Do të ishte përzgjedhja ideale për ata që ndihen në vështirësi për të bërë dhurata, pasi bimën e gjejmë në madhësi të ndryshme dhe me çmime interesante për të gjithë, por edhe për faktin se bima gjendet në ngjyra të ndryshme, si në gjyrë të bardhë, të verdhë e pana, në disa tonalitete të ndryshme të rozës si dhe në rozë të sfumuar.
Një stilim edhe më i veçantë dhe i rafinuar, sipas tendencave të fundit, është përdorimi i yllit të Krishtlindjes me elemente të tjera decorative tradicionale, si me degë pishe, boçe pishe, degë pemësh të thata, degë me fruta të kuqe si dhe çdo element tjetër që do të na rikujtonte festat. Natyrisht që kjo kërkon njëfarë eksperience dhe pikat e shitjes së luleve ofrojnë dhe duhet të ofrojnë kompozime të tilla. Megjithatë me pak dëshirë e vullnet, duke pare edhe foto revistash, çdokush mund ta zbukuronte ambientin në ditët e festave sipas shijeve dhe stilit të tij.

Euphorbia pulcherima është një bimë si gjithë bimët e tjera që duan dritë, ngrohtësi, por edhe terren të pasur. Në verë ka një rritje vegjetative, një rritje të degëve si dhe një shtim e zmadhim të gjetheve. Një tregues që duhet mbajtur mend është fakti i zmadhimit të gjetheve: nëse ato rriten mbi 6-8 cm, atëherë bima
është në gjendje të mirë dhe vazoja ka ushqim të mjaftueshëm. Në të kundërt duhet të ndërhyjmë me ushqim të lëngshëm të pasur me azot. Duke qenë një bimë fotoperiodike, pra, që çel me pakësimin e ndriçimit ditor, në radhë të parë, bima duhet të jetë e shëndetshme, me 4-5 degë e shumë gjethe. Me fillimin e tetorit, bima lihet në një mjedis me dritë 9-10 orë dhe me mbulim total për 12 orë. Do kishim një rritje të shpejtë të biskut të majës si dhe fillimin e skuqjes së gjethes, duke filluar nga nervaturat e më pas në të gjithë gjethen. Dalëngadalë pigmenti klorofil me ngjyrë jeshile i lë vendin sintetizimit të antocianit me ngjyrë të kuqe. Është ky pigment që i jep bimës bukuri të rrallë, sidomos kur koincidon me periudhën e festave.