Matilda Makoçi rrëfen jetën dhe shtëpinë e mbushur me kujtime

Showbiz

Matilda Makoçi, një nga aktoret më të bukura e më premtuese të viteve ’80, siç lulëzoi shpejt në kinematografinë e asaj kohe, ashtu edhe iku shpejt. E angazhuar në kinematografi, teatër e televizion njëkohësisht, sot, 35 vite më vonë qëndron e tërhequr në apartamentin e vogël të prindërve të saj. Megjithatë, publiku e mban mend dhe e do përmes ekranit, edhe në heshtjen e saj.

Përballë kameras së televizionit A2, ajo ka rrëfyer për rrugëtimin e saj në kinematografi, pengesat, problemet me të cilat u përball gjatë rrugës.

“Hijet që mbeten pas”, ka qenë një nga filmat më të suksesshëm të saj, e megjithatë, modestisht Matilda ia atribuon gjithë meritat Xhevdet Ferit, si aktorit kryesor të filmit, për të cilin thotë se do t’i mungojë shumë artit të shtatë.

-Keni shënjuar në kinematografia me disa filma, cili është filmi që dashuroni më shumë?

Të gjithë filmat më kanë lënë emocione të veçanta, kam komunikuar me aktorë shumë të mirë, kanë lënë përshtypje shumë të mirë në publik, ‘Të mos Heshtësh’, është një film ku pata rolin kryesor, dhe për peshën them ka qenë filmi më i veçantë.

-Keni qenë pjese e teatrit dhe kinemasë, vetë ku jeni ndjerë më mirë?

Tashi më kanë pyetur prapë. Është pyetje e bukur që u bëhet aktorëve dhe të gjithë përgjigjen për teatrin. Mua më pëlqen shumë teatri…është shumë i lodhshëm por të jep kënaqësinë e duartrokitjeve, ngrohtësinë e publikut, por është e bukur edhe kinemaja, të bën mik me shumë njerëz, është shumë e afërt përmes TV futet në çdo shtëpi, kështu me pëlqen shumë edhe kinemaja.

Në kohën kur ajo po afirmohej si një yll i kinemasë, u njoh dhe u lidh me Edi Ramën, në atë kohë të dy artistë rebelë. Nga martesa mes tyre lindi Greg Rama, i cili gjithashtu ndoqi rrugën e artit viziv. Por martesa e tyre nuk zgjati shumë dhe Matilda vendosi të mbante djalin. Të shkëlqente si aktore dhe si nënë për të do të ishte e vështirë, prandaj ajo zgjodhi të shkëputej nga arti dhe të ishte nëna e Gregut.

“Isha e detyruar të hiqja dorë sepse kështu na erdhën kushtet, prindërit i kisha të rinj, nuk mund të më ndihmonin ta mbanin djalin. Provova ta çoja në çerdhe, por nuk e përballonte ai, kështu që isha e detyruar ta mbaja vetë. Vitet ikën u çmësova me punën, ritmi punës u zbeh dhe kështu u largova. Nuk më vjen keq, po nuk e ndjej mungesën e asaj kohe, më ka dhënë kjo koha tjetër, më ka marrë me vete”, rrëfen Matilda.

Në shtëpinë ku jeton sot Matilda, megjithatë, ka gjurmë të asaj kohe, të Edit dhe Greg Ramës. Në dhomën e pritjes ndodhen tre piktura të Edi Ramës, një portret i saj dhe dy vepra të tjera. Në dhomën tjetër është një vepër e Gregut, i cili tashmë është i rritur dhe jeton në pavarësinë e tij.

Për marrëdhënien e të birit me të atin dhe familjen e tij, ajo shprehet:

“Shoqërohej, domethënë flinte atje, edhe tani shkon shpesh. Tani e kishin marrë pas tërmetit, ndenji ca ditë atje në shtëpinë e tyre, por do rehatinë e vet, nuk është se do të rrijë një vend, ose të shkojë tek baba e vet, edhe për konjukturë, për të thënë që është me babën ose kështu, por nuk e bën, rri vetëm, i pëlqen shumë, ia del, i përballon gjërat me mundësitë e veta, me miqtë e vet, e ndihmon dhe gruaja e Edit, është grua shumë e mirë.”