”Më në fund ia dole, mundi dhe djersa jote nuk shkuan dëm” ja kush e krenoi sot Shpëtim Saraçin

Showbiz

Rreth dy vite më parë ai braktisi Shqipërinë, i zhgënjyer pas 30 viteve karrierë në skenë, për të ndjekur ëndrrën amerikane, por mbi të gjitha për t’u dhënë fëmijëve mundësi më të mira në një sistem arsimor të konsoliduar. Me siguri fillimi nuk ka qenë aspak i lehtë për kompozitorin e njohur Shpëtim Saraçi dhe këngëtaren Mira Konçi, por sot ata kanë të gjitha arsyet për të qenë krenarë, e aspak të penduar për vendimin që morën, vajza e tyre Era është diplomuar. Ka qenë vetë kompozitori shkodran që ka ndarë lajmin e gëzueshëm në Facebook, duke publikuar edhe fotot e para nga krah Mirës, dhe dy fëmijëve Era e Drini, të cilët janë kopje e prindërve.


“Ja edhe Era u diplomua. Diplomimi yt, Era e jonë, na lumturoi pa masë dhe është kurorëzim i të gjitha sakrificave të përbashkëta familjare, por kryesisht i djersës dhe mundit tënd. i madhi Zot ndriçoftë çdo hap tëndin në rrugën e gjatë të jetës. Falënderojmë përzemërsisht të gjithë familjarët dhe miqtë e dashamirësit që na ndihmuan dhe u bënë mbrojtësit kryesorë të suksesit tënd Era”- ka shkruar ai në Facebook, ku kanë vërshuar urimet e miqve, familjarëve dhe dashmarisve të çiftit të artistëve.


Një detaj interesant që ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve është edhe shalli që Era mban në qafë, ku shpalosen flamuri shqiptar dhe ai amerikan.