A do e rinovojë kontratën me PSG Cavani?

Sport

Golashënuesi më i mirë i historisë së PSG do të vazhdojë të jetë pjesë e kampionëve të Francës edhe në sezonin e ardhshëm. Edinson Cavani raportohet të jetë shumë pranë rinovimit me PSG, duke hedhur poshtë zërat që flisnin për një largim të uruguaianit gjatë merkatos verore. 32-vjeçari thuhej se ishte disi i pakënaqur me aventurën e tij tek PSG, por palët tashmë kanë gjetur një akord verbal për të rinovuar kontratën, të paktën edhe për 1 sezon tjetër. Kontrata aktuale e mban Cavanin në Paris deri në verën e vitit të ardhshëm dhe prej disa kohësh flitej se sulmuesi do të zëvendësohej me dikë tjetër, ku ishe përmendur edhe emri i Antoine Griezmann.

Ky i fundit duket të jetë i destinuar për t’u transferuar tek Barcelona ndërsa alternativat e tjera, nuk kënaqin kërkesat e drejtuesve parizienë. Gjithashtu klubi francez nuk ka ndërmend të bëjë të tjera çmenduri në merkato, për të mos i hapur vetes probleme me ‘fair-play’ financiar. Kështu është vendosur që Cavanit t’i propozohet një kontratë e re, për të cilën është njoftuar edhe agjenti i lojtarit. Edinson Cavani është pjesë e PSG që prej vitit 2013. Me kampionët e Francë, sulmuesi 32-vjeçar numëron 193 gola në 279 ndeshje, çfarë e kanë listuar uruguaianin si golashënuesin më të mirë të historisë së PSG.