Agjenti i Hysajt sulmon: Ancelotti ishte problemi!

Sport

Paraqitja e Elseid Hysajt ndaj Juventusit nuk mbeti pa rënë në sy. Mbrojtësi shqiptar i Napolit përballoi disa herë me sukses Cristiano Ronaldon, por u dallua edhe për saktësinë taktike. Përballë kësaj ka reaguar edhe agjenti i shkodranit Mario Giufreddi, i cili ka përfituar nga rasti për të hequr disa ‘gurë nga këpucët’. Ndërsa nuk ka kursyer një sulm ndaj Ancelottit. “Elsi tregoi edhe një herë se të gjithë janë gabuar për të. Që kur ka ardhur Gatuso e ka treguar veten, sesa i fortë është. Ai u ka treguar të gjithëve se problemi nuk ishte ai, por Ancelotti!”, deklaroi menaxheri.
Pikërisht në kohën kur ish-tekniku i Milanit, Chelsea e Bayern ishte në krye të Napolit, Hysaj përfundoi në stol. Por me ardhjen e Gatusos dhe emergjencën në mbrojtje, lojtari shqiptar rigjeti formacionin titullar. E siç ka rrëfyer edhe Giufreddi, duket qartë se Hysaj ka rifituar besimin dhe ndihet shumë më i sigurtë në vetvete, aq sa ndonjëherë edhe e ekzagjeron. Gjithsesi, tashmë ai kërkon të japë gjithcka për skuadrën e Napolit, qoftë edhe si zëvendësues. Ndërkohë që po agjenti ka thënë se po diskutohet prej kohësh edhe rinovimi i Hysajt. Madje Giufreddi ka pranuar se ekziston gatishmëria nga ana e lojtarit për të zgjatur kontratën. E kjo nuk do të jetë një problem, gjithmonë nëse Napoli do ta dojë rinovimin. Përndryshe, do të largohet patjetër gjatë verës.