Angli, Kane është i bindur, ky është Tottenhami i Jose Mourinhos

Sport

Tottenham ka treguar një formë të shkëlqyer në këto javë të fundit të sezonit në ‘Premier League’, me ‘Spurs’ që u dhanë një goditje të fortë skuadrës së Leicester, të cilët u mposhtën 3-0. Një nga lojtarët kyç të kësaj forme të mirë të Tottenham është edhe Harry Kane. Kapiteni i Anglisë ka pushuar të gjitha kritikat që i vinin për shkak të mosrealizimit të golave, duke realizuar dy dopieta në dy takimet e fundit të fituara nga londinezët. Në intervistën e dhënë pas ndeshjes, Kane ka zbuluar se vetëm tani, skuadra po luan tamam në mënyrën që kërkon trajneri Jose Mourinho. Sipas Kane, tekniku portuez ka patur një periudhë shumë të vështirë në ekip, pasi i është dashur të punojë vërtet shumë për t’i dhënë ‘Spurs’-ave ‘fytyrën’ që ai dëshiron. Lideri i londinezëve është i bindur se tani Tottenham e tregon në fushë ndikimin e një trajneri si Jose Mourinho. Me fitoren 3-0 ndaj një rivali të fortë si Leicester, Tottenham mbetet ende pjesë e ‘luftës’ për një vend në ‘Europa League’ në sezonin e ardhshëm. Edhe pse është kompeticioni më i vogël në Europë, Kane beson se mund ta ndihmojë skuadrën e Mourinhos të fitojë më shumë eksperiencë sa i përket përballjeve ndërkombëtare të Tottenham, pasi sipas tij, tekniku portugez ka një tjetër ‘qasje’ të lojës kur vjen puna për të luajtur jashtë Anglisë. Megjithatë, sezoni i ardhshëm duket të jetë premtues për ekipin londinez dhe Kane mendon se me një apo dy përforcime të mira, ekipi mund të luftojë për objektiva të mëdha.