Angli/ Rafael Benitez tregon arsyen e dështimit tek Evertoni

Sport

Rafael Benitez e kthen kokën pas dhe tregon arsyet e dështimit të tij tek Evertoni. Në 1 korrik të verës së shkuar, takticieni spanjoll mori drejtimin e Bluve të Merseyside, mirëpo aventura në Goodison Park nuk zgjati më tepër sesa 6 muaj.

Sipas 62 vjeçarit, situata e tij doli jashtë kontrollit, si pasojë e të shkuarës së tij me Liverpoolin, që nuk e lejoi atë të punonte lirshëm në anën tjetër të qytetit. Që prej momentit kur aludohej se Benitez mund të merrte drejtimin e Evertonit, tifozët e “The Toffees” nuk e pritën mirë një gjë të tillë. Madje nuk munguan as mesazhet kërcënuese në drejtim të Benitezit.

“Mendoja se së bashku mund të bënim shumë ndryshime, duke nisur që nga stafi, departamentet, skuadra, apo edhe gjëra të tjera si këto. Kisha besim se mund të përmirësoheshim dhe të ecnim përpara. Mund të them se ishte një eksperiencë që transmetonte edhe pozitivitet, por gjithashtu ishte edhe e turpshme në të njëjtën kohë”, janë disa nga fjalët e spanjollit, I cili në të njëjtën kohë ka thënë se problemin e ka nuhatur që prej momentit kur I erdhi oferta e parë.

“Për shkak të së shkuarës time me Liverpool, e dija që këtu do ishte problem një gjë e tillë. E dija se do të ishte shumë e vështirë dhe që prej fillimit nuk mund të merrja dot disa vendime që ishte e domosdoshme të merreshin”, ka thënë 62 vjeçari.

Në krye të Evertonit, Benitez nuk pati asgjë pozitive, përveç fillimit, kur ia doli të shmangte humbjen në 4 takimet e para. Kjo I dha mundësinë trajnerit në fjalë që të ishte edhe një prej kandidatëve për t’u shpallur trajneri I muajit në Premier League.

Megjithatë, situata nisi të dilte jashtë kontrollit përgjatë ditëve në vijim. Rezultatet negative filluan dhe tifozët po dilnin hapur kundër timonierit të skuadrës së tyre. Nuk vonoi shumë dhe marrëveshja u ndërpre në 16 janar të këtij viti. Në 6 muaj në krye të Evertonit, Benitez e drejtoi skuadrën në 22 ndeshje në të gjitha garat, duke marrë 7 fitore, 4 barazime dhe 11 humbje.