Antonio Conte është zyrtarisht trajner i Interit!

Sport

Tani radhën e ka Antonio Conte… Me një video të postuar në kanalin zyrtar të klubit të Interit, zikaltërit zyrtarizuan angazhimin e ish-trajnerit të Juventusit, Italisë dhe Chelsea-it, si pasardhës të Luciano Spallettit. Shtypi Italian raportoi të premten se Conte ka pranuar një kontratë tre-vjecare që do ta paguajë atë me 9 milionë euro në sezon. Bashkë me bonuset dhe premtimet për shpërblime, kjo shumë mund të shkojë në 12 milionë euro. Sërish në staf bie në sy se roli i zëvendësit do t’i besohet të vëllait të Antonios, Gianluca Contes, teksa në organikë janë përmendur emra si Tous, Coratti dhe Bonaiuti.

Po kështu shtypi ka lakuar si tejet me pritshmëri rikthimin e Gabriele Orialit si menaxher i përgjithshëm. “Vij këtu sepse kam të njëjtin oreks sikurse ju për suksese dhe trofe” – thotë Conte në video-mesazhin kushtuar tifozerisë zikaltër. Planet e Interit tashmë nisin të marrin frymë me emra si Dzeko dhe Barella si të parët që mund të afrohen në Giuseppe Meazza. Po kështu Lukaku dhe Bergwijn lakohen si të dëshirueshëm, apo edhe Chiesa i Fiorentinës. Për Conten ky do të jetë viti i 10-të në nivelet e larta, pas përvojave me Juventusin në sezonet 2011-2014, Italinë deri në 2016-ën dhe Chelsea-in deri një vit më parë. Si trajner ka fituar 3 Serie-A, 1 Super-Kupë Italie, 1 Premier-League dhe 1 Kupë Federate të Anglisë.