As Julian Nagelsmann dhe as Luis Eurique, ja kush do të jetë trajner i Chelsea

Sport

As Julian Nagelsmann dhe as Luis Eurique. Mauricio Pochettino do të jetë trajneri i ri Chelsea. Klubi i Londrës Perëndimore dhe tekniku në fjalë janë në faqen e fundit të bisedimeve dhe shumë shpejt, çështja do të bëhet zyrtare.

Nuk dihet me saktësi, nëse Pochettino do të vijë menjëherë në krye të skuadrës, duke zënë vendin e të përkohshmit Frank Lampard, apo do e marrë drejtimin e ekipit në fund të sezonit futbollistik. Lampard nuk e ka nisur aspak mirë rikthimin e tij në “Stamford Bridge”, duke humbur secilën nga 4 ndeshjet e tij të para.

Në rrethana si këto, është mëse e mundur, që Chelsea të ndajë sërish rrugët me ish-mesfushorin dhe timoni i skuadrës të kalojë menjëherë në duart e argjentinasit.

Pochettino, që prej verës së 2022-shit, kur u shkarkua nga PSG, nuk ka qenë në krye të asnjë skuadre, ndonëse emri i tij është lidhur vazhdimisht me klube të ndryshme. Një prej tyre ishte Tottenham, aty ku 51 vjeçari ka drejtuar vite më herët.

Megjithatë, diçka e tillë nuk do të ndodhë. Pochettino do të rikthehet sërish në Londër, por në krahun tjetër të qytetit, në Perëndim, aty ku do të marrë drejtimin e rivalëve të Spurs, Chelsea. Personazhi në fjalë, është pritur mirë edhe nga tifozët e Bluve të Londrës, të cilët i kanë uruar menjëherë mirëseardhjen strategut 51 vjeçar.