Atletico Madrid mund Realin në derbi, fiton edhe Barcelona

Sport

Atletico Madrid fiton derbin e kryeqytetit ndaj Realit dhe kualifikohet në çerekfinalen e Kupës së Mbretit. Në Estadio Metropolitano, spektakli nuk mungoi, teksa për të përcaktuar një fitues, të dyja skuadrat iu drejtuan kohës shteseë.

Pasi koha e rregullt përfundoi 2-2, në shtesë, Atletico shënoi edhe dy herë të tjera, duke siguruar një vend në 8 skuadrat më të mira të Kupës.

Që prej kohës kur Diego Simeone është emëruar trajner i Atleticos, në 13 derbe të luajtura ndaj Realit në fazat me eliminim në të gjitha kompeticionet, 8 prej tyre kanë shkuar në kohën shtesë. Në 22 rastet e mëparshme përpara Simeones, kishte ndodhur vetëm një herë që derbi të shkonte në kohën shtesë.

Më tej, pas fitores 3-1 në kampionat, në javën e 6-të, kjo ishte hera e dytë radhazi që Atletico fiton në shtëpi përballë Real Madrid, diçka që nuk kishte ndodhur që prej vitit 2015.

Në kushte si këto, teksa Reali u eliminua nga Kupa, që e fitoi një vit më parë, nga ana tjetër, Atletico vijon rrugëtimin, me shpresën se këtë sezon, mund të triumfojë në një kompeticion të tillë.

Sakaq, në çerekfinale të Kupës së Mbretit është kualifikkuar edhe Barcelona, që në raundin e 1/8-tave mposhti në  transfertë ekipin e Unionistas me rezultatin 3-1.

Vlen të theksohet se ky është sezoni i 3-të radhazi në Kupë, që në çerekfinale, kanë arritur të kualifikohen skuadra vetëm nga La Liga. Diçka e ngjashme nuk ndodhte që prej vitit të largët 1992.