Barcelona, betejë me UEFA-n

Sport

519346-barcelona-team
Barcelona është në luftë me organizmat më të lartë të futbollit, që duket se gjuajnë rastet për të kapur në gabim kampionët e Europës. Sikur të mos mjaftonte bllokimi I transferimeve nga FIFA, tani katalanasit kanë marrë një ndëshkim të ri, kësaj radhe prej UEFA-s. Shkak për këtë janë bërë disa flamuj, që kanë shfaqur tifozët spanjollë gjatë finales së edicionit të kaluar të Champions League në Berlin. Bëhet fjalë për objekte që simbolizojnë mbështetjen për lëvizjen e Pavarësisë së Katalunjës.

Me arsyetimin se futbolli duhet të qendrojë larg politikës, organizmi evropian e ka gjobitur Barcelonën me 30 mijë euro, në bazë të artikullit 16.2 të kodit disiplinor të UEFA, që thotë se klubet janë përgjegjës për tifozët, të cilët nuk duhet të përdorin fjalë, objekte apo të transmetojnë mesazhe që nuk kanë lidhje me sportin.

Menjëherë ka reaguar klubi spanjoll, duke thënë se e respekton vendimin e UEFA-s, por nuk është aspak dakord me të. Aq më tepër kur vetë delegati i ndeshjes ishte shprehur se “sjellja e tifozëve të Barcelonës kishte qenë e shkëlqyer, si para, edhe pas 90 minutave”. Klubi katalanas po vlerëson marrjen e një aksioni ligjor për këtë ndëshkim, pasi beson se në këtë rast. rregulltat nuk janë në përputhje me të drejtat e klubit. Pra, beteja e radhës sapo ka nisur.