Barcelona «detyrohet» t’i bindet këtij kompromisi, deri në vitin 2020…

Sport

barca 2020

Mohamed Salah te Barcelona?! Mos shpresoni shumë te ky spekulim. Shtypi spanjoll dhe ai britanik zbuluan të mërkurën se Barcelona dhe Liverpooli kanë arritur një marrëveshje, jo për të transferuar egjiptianin në Camp Nou, por për të mos transferuar asnjë lojtarë të skuadrës së Jurgen Klop, të paktën deri në vitin 2020. Kjo marrëveshje e zbuluar nga shtypi thuhet se ka qenë pjesë e operacionit që solli Phelipe Coutinhon te Barcelona. Gazeta katalane Sport ishte e para që e raportoi këtë prapaskenë duke nënvizuar se skuadra blaugrana nuk do të përforëcohet më me lojtarë të Liverpoolit për së paku dy sezonet e ardhshme.

stream img

Phelipe Coutinho ishte pjesë e një telenovele të tejzgjatur që nga vera e vitit që shkoi e deri në janar, kur u konkretizua dhe marrëveshja e transferimit mes të dyja klubeve. Barcelona pranoi të paguajë 140 milionë euro për 26-vjecarin, ndërsa në kampin e të kuqve tifozët u ndjenë jashtëmase të tradhëtuar prej faktit se Coutinho konsiderohej një idhull në Anfield. Por pikërisht prej kësaj duket se ka lindur edhe klauzola e propozuar nga vetë të kuqtë. Nëse Barca do të donte me ngulm Coutinhon duhej të nënshkruante një marrëveshje ku zotohej të mos përfshihej më në asnjë bisedim për lojtarët e Liverpoolit deri në vitin 2020. Kështu me këtë marrëveshje të pranuar, spekulimet e shumta se Salah mund të jetë zëvendësuesi i Suarez te Barca, nuk bëjnë më kuptim, të paktën edhe për dy sezonet e ardhshme.