Brooklyn përmbysje historike ndaj Sacramentos, Harden i Rockets vendos rekord tjetër

Sport

nbarekodrd.jpg

Brooklyn Nets e Sacramento Kings kanë dhuruar një nga përballjet më të bukura të sezonit të rregullt, me njujorkezët që triumfuan vetëm në sekondat e fundit me rezultatin 121-123. Një ndeshje historike kjo për Nets, që për herë të parë në historinë e tyre përmbysin një disavantazh prej 28 pikësh. D’Angelo Russell ishte sërish ylli i i mbrëmjes për Brooklyn, teksa realizoi plot 44 pikë, 12 asiste dhe 4 rikuperime të topit nën tabelë. Kjo ishte një përballje mes dy skuadrave që kërkojnë të jenë pjesë e fazës finale në ‘Konferencat’ respektive, por pas kësah humbjeje gjërat për Sacramenton fillojnë të ndërlikohen.
Houston Rockets ndërkohë morën fitoren e 4 radhazi, pasi mposhtën 105-121 skuadrën e Atlanta Hawks. James Harden ishte sërish më i miri në parket për teksanët, me 31 pikë, 10 asiste dhe 8 rikuperime të topit nën tabelë. Harden shkruan historinë e NBA-së, pasi bëhet basktbollisti i parë që shënon mbi 30 pikë ndaj të gjitha ekipeve rivale, pra 29 skuadrave, brenda një sezoni. Një tjetër arritje e madhe për James Harden, që mbetet një nga pretendentët për të fituar çmimin si ‘MVP’ edhe këtë vit.
Los Angeles Lakers janë zyrtarisht jashtë zonës ‘play-off’, pasi u mundën nga kryesuesit e ‘Konferencës së Lindjes’, Milwaukee Bucks, me rezultatin 125-101. Në një ndeshje ku yjet kryesorë të të dyja skuadrave, Giannis Antentokounmpo për Bucks e LeBron James për Lakers, ishin lënë pushim, skena shkoi për Caldwell-Pope, që realizoi plot 35 pikë.