Casillas, merr vendimin për të ardhmen

Sport

Iker Casillas ka vendosur t’i thotë “stop” futbollit të luajtur! Portieri spanjolli kaloi një atak kardiak në fundin e sezonit që lamë pas, ndërsa tani duket se me shumë mundësi do t’i japë fund karrierës si futbollist. Gjithsesi, 38-vjeçari nuk do të largohet nga Porto, por do të jetë pjesë e stafit teknik. Legjenda e portës, që kaloi pjesën më të madhe të viteve të karrierës me Realin e Madridit, tani do të bëhet pjesë e stafit teknik të klubit portugez, deri në momentin që do të kalojë problemet shëndetësore. Megjithatë mosha nuk është aspak në favorin, prandaj me shumë mundësi e gjitha ngjan si një mbyllje përfundimtare e karrierës së tij.

Casillas do të ketë rolin e ndërmjetësuesit të klubit në marrëdhëniet me lojtarët dhe drejtuesit. Vetë ai ka folur për sajtin zyrtar të Portos duke treguar atë se çfarë do të bëjë nga tani e tutje. “Mund të them se do të bëj diçka ndryshe nga ajo që jam mësuar të bëj zakonisht në fushë. Do të provoj të bëj lidhjet ndërmjet skuadrës dhe klubit. Trajneri bisedoi me mua gjatë sezonit të kaluar kur më ndodhi problemi shëndetësor, duke më thënë se dëshironte të qëndroja me ekipin, afër lojtarëve dhe të ndihmoj futbollistët e rinj. Prandaj do të mundohem të bëj më të mirën për të ndihmuar shokët e skuadrës”, shpjegoi spanjolli. Casillas aktivizohet me skuadrën e Portos që nga edicioni 2015/16, pasi u largua nga kryeqyteti i Spanjës (2014/15), ku kaloi plot 17 vjet të jetës së tij.