Çfarë ndodhi dje në Old Trafford?

Sport

Tifozët e Manchester United kanë sulmuar trajnerin e Atletico Madrid, Diego Simeone. Eliminimi nga spanjollët në raundin e 1/8-tave të Champions League, ka lënë një shije të hidhur në radhët e përkrahësve të djajve të kuq dhe disa prej tyre e kanë shfaqur zemërimin në drejtim të teknikut të skuadrës kundërshtare. Gjithçka ndodhi pas përfundimit të sfidës në Old Trafford.

Menjëherë pas fërshëllimës së fundit, Simeone nuk preferoi të qendronte gjatë në fushë, madje nuk u përshëndet as me trajnerin kundërshtar, Ralf Rangnick. Argjentinasi vrapoi menjëherë drejt dhomave të zhveshjes për të festuar kualifikimin me lojtarët e tij.

Mirëpo, teksa po dilte nga fusha, në hyrje të tunelit është përballur me tifozët e Manchester United, të cilët e kanë sulmuar argjentinasin me sende të ndryshme. Sigurisht që këto skena nuk janë përtypur dot nga klubi anglez.

Sikurse raportojnë mediat në ishull, nëpërmjet ndihmës së kamerave, United ka nisur menjëherë hetimet mbi këtë ngjarje për të identifikuar personat përkatës që e kryen një veprim të tillë. Sigurisht që ndaj tyre mund të merren masa drastike, duke iu hequr përgjithmonë të drejtën për një biletë në Old Trafford.