Champions, ja risitë e listave të skuadrave kryesore për 1/8-at

Sport

Po afrohet dalëngadalë starti i fazës me eleminim direkt të Champions League, që merr jetë me çiftet e 1/8-ave duke filluar prej 18 shkurtit. Gjatë kësaj periudhe, skuadrat pjesëmarrëse kanë dorëzuar listat e regjistrimit në këtë kompeticion, ku mund të shtojnë maksimumi 3 lojtarë të rinj.
Vetëm një afrim për Liverpool-in kampion të Europës në fuqi që ka dashur t’i besojë kontigjentit të vjetër. Jurgen Klopp ka regjistruar vetëm japonezin e marrë nga Salsburg, Takumi Minamino. Të njëjtin numër afrimesh ka edhe Atletico e Madridit, kundërshtari i “Reds” në sfidën e 1/8-ave. Simeone zgjodhi rikthimin e Yannik Carrascos pas aventurës së tij te Dalijan në Kinë. Ndërsa është në pritje të rikthimit edhe të Diego Costas. Një është edhe përforcimi i kryer nga Bayerni i Mynihut, që preferoi të mjaftohet me Alvaro Odriozolan, të ardhur nga Reali i Madridit. Veçanërisht bie në sy fakti që madrilenët nuk kanë bërë asnjë blerje, pasi konsiderojnë si të tillë rikthimin nga dëmtimi të Marco Asensios, që do të jetë një vlerë e shtuar për sulmin e Zinedine Zidane.

Asnjë fytyrë e re edhe për anglezët e Manchester City dhe Chelsea, që kanë dashur të mbajnë ekuilibrat e vitit të kaluar. Po ashtu edhe Paris SG, që ka shtuar në listë vetëm portierin 20-vjecar polak, Marcin Bulka. Kurse dy blerje me peshë ka bërë Dortmundi, duke afruar sulmuesin më produktiv të momemtit, Erling Halaand nga Salsburg dhe Emre Can nga Juventusi. Ndërkohë, Barcelona ka zgjeruar rradhët e veta vetëm me tre lojtarë të marrë nga Barcelona B, mes të cilëve përfshihet edhe shqiptari Rey Manaj.

Ndër klubet që kanë plotësuar të 3 vendet e lejuara si përforcime është Tottenhami, që në mesfushë ka afruar Steven Bergwin nga PSV Eindhoven dhe Gedson Fernandes në huazim nga Benfica. Gjithashtu “Spurs” kanë shtuar në listën e Champions edhe portierin e kthyer nga dëmtimi, Hugo Loris. Po tre risi ka edhe Lajpcigu me Olmo, Angelino e Tschauner, ashtu si dhe Napoli, në listën e të cilit figurojnë Demme i ardhur nga Lajpcigu, Politano nga Interi dhe Lobotka nga Celta Vigo.