Champions League, Chelsea pret Barcelonën në një sfidë që ka shijen e klasikes

Sport

cheksss

Chelsea-Barcelona rikthehet të luhet në Londër atje ku UEFA Champions League ka parë gjithmonë ndeshje spektakolare. Një sfidë që tashmë ka shijen e një klasikeje të Evropës. Që prej vitit 2000, 12-të kanë qenë përballjet, gjithmonë në fazat e eliminimit direkt. Prej këtyre ndeshjeve, 5 kanë përfunduar në barazim, 4 janë fitoret e Chelsea-it dhe 3 të Barcelonës. Katalanasit nuk fitojnë ndaj Bluve prej 7 përballjesh. Në fakt hera e fundit që ata fitonin ishte pikërisht në Londër në vitin 2006-të. Nga Londra dhe kjo lloj përballjeje kanë kaluar 3 tituj të Champions League-ës. Në vitin 2006-të dhe 2009-të, katalanasit festonin suksesin pas fitores ndaj Chelsea-it. I paharrueshëm sidomos goli i Iniestas në 2009-ën. Në vitin 2012-të festa i takoi Chelsea-it të Di Matteos. E pra kjo përballje i ka të gjitha tiparet e një finaleje të parakohshme. Në këtë sfidë vëmendja absolute shkon te Lionel Messi. Autori i 100 golave në Champions, nuk ka mundur t’i shënojë asnjë Chelsea-it në 8-të takime që ka pasur me ta. Valverde beson se kjo do jetë mbrëmja e madhe për argjentinasin. Katalanasit janë me organikë të plotë përvec Semedos të pezulluar. Ndërsa Conte, që mbetet nën kritika dhe presion nga shtypi, ka probleme me Luiz dhe Bakayokon. Teksa pritet debutimi i Olivier Giroud me fanellën e Chelsea-it, duhet thënë se Blutë do e kenë të vështirë, pasi përballë kanë një skuadër që ka vetëm 1 humbje që prej muajit gusht.