Champions League/ Ja kundërshtarët e mundshëm të Manchester City dhe Borussia Dortmund

Sport

Mancester City e mbyll me fitore fazën e grupeve të UEFA Champions League. Në ndeshjen e javës së 6-të të Grupit G, Cityzens priten skuadrën e Sevilla në shtëpi, ndaj të cilëve triumfuan me rezultatin 3-1. Në fakt, ishin miqtë ata që kaluan të parët në avantazh me anë të Rafa Mir në minutën e 31. Mirëpo, të besuarit e trajnerit Pep Guardiola e kishin lënë gjithçka për në pjesën e dytë.

Kur kishin kaluar vetëm 7 minuta nga rikthimi në fushën e lojës, Rico Leëis barazoi shifrat, ndërsa në të 73-tën, Julian Alvarez, i asistuar nga Kevin De Bruyne kaloi vendasit në epërsi. Përgjatë vitit 2022, në 41 ndeshje të luajtura, De Bruyne është përfshirë në 40 gola me Cityn, duke shënuar 16 dhe asistuar 24. Këto të dhëna janë më të mira sesa të çdo lojtari tjetër të Premier League. Nga një moment i tillë, do të kalonin 10 minuta, kur Riyad Mahrez të shënonte edhe golin e 3-të për blutë e Manchesterit, në atë që do të ishte edhe goli i fundit i sfidës.

Sa i përket ndeshjes tjetër të Grupit G, Copenhagen dhe Borussia Dortmund u ndanë në barazim 1-1 Në tokën daneze, ishin gjermanët ata që kaluan të parët në avantazh në minutën e 23 me anë të Torgan Hazard, ndërsa në të 41-tën, Hakon Haraldsson riktheu gjithçka në barazpeshë, me rezultatin që do të mbetej i pandryshuar deri në fërshëllimën e fundit.

Në këtë mënyrë, Manchester City dhe Borussia Dortmund, si dy skuadrat e kualifikuara të Grupit G, do i mësojnë kundërshtarët e tyre për raundin e 1/8-tave në shortin e ditës së hënë që do mbahet në Nyon të Zvicrës.

Kundërshtarët e mundshëm të Cityt mund të jenë, PSG, Leipzig, Milan, Eintratcht Frankfurt, Inter dhe Club Brugge.

Më tej, kundërshtarët e mundshëm të Borussia Dortmund mund të jenë Napoli, Porto, Tottenham, Chelsea, Real Madrid dhe Benfica.