Chelsea eliminon Liverpoolin falë një perle të Eden Hazard

Sport

chelsea lvp
Gianfranco Zola e kishte thënë të martën, dhe nuk kaluan as 24 orë dhe Eden Hazard e tregoi të mërkurën mbrëma se është një nga më të zotët në botë. Asistenti i Maurizio Sarrit e pati lavdëruar belgun duke e krahasuar me nivelin e Neymar, Messit apo të Ronaldos dhe në sfidën kundër Liverpoolit në Kupën e Ligës, ishte një gol i tij që i përmbysi të kuqtë 2-1. Në Anfield filloi keq për Blutë e Londrës, kjo pasi vendasit ishin tejet të vendosur në fushë dhe nuk lanë shumë hapësira. Në pjesën e dytë Daniel Sturridge kaloi Liverpoolin në avantazh duke dhënë idenë se kualifikimi do t’u buzëqeshte atyre.

 wMRK jB 400x400

Për Sturridge ky ishte goli i 11 në 11 ndeshjet e fundit në Kupën e Ligës. Por skuadra e Sarrit nuk u dekurajua. Emerson Palmeiri shënoi golin e barazimit rreth 20 minuta më vonë dhe Blutë filluan të besonin më tepër. Kur po i afrohej fundit, ideja se gjërat mund të zgjidheshin me shtesa apo penallti u hodh tutje nga një super-veprim i Eden Hazard. Minuta e 85-të, një super-driblim, goditje e furishme dhe gol i përkryer. Falë golit të belgut Chelsea kualifikohet për në raundin e katërt të Kupës së Ligës, ndërsa për Liverpoolin, për herë të parë që prej vitit 1991, eliminohet për të dytin vit radhazi në këtë fazë.