Cristiano Ronaldo flet me elozhe për Zinedine Zidane, thotë se e ndihmoi të bëhej më i fortë…

Sport

Tek Real Madrid, Cristiano Ronaldo kaloi absolutisht disa nga momentet më të mira të karrierës së tij dhe ndonëse ka zëra që ndarja e portugezit me presidentin Florentino Perez nuk ka qenë më e mira e mundshme, palët gëzojnë respekt për njëri-tjetrin. Por tek ‘Los Blancos’, Ronaldo zbulon se një person për të është më i veçantë se të tjerët.

Portugezi nuk kurseu elozhet për trajnerin Zinedine Zidane, të cilin e sheh si një faktor të rëndësishëm në rritjen e tij sportive. 34-vjeçari thotë se për futbollistë të nivelit të lartë është shumë e rëndësishme të kesh mbështetjen dhe besimin e shokëve të skuadrës dhe trajnerit. Zidane, siç zbuloi Ronaldo, e bënte këtë gjë sa herë i jepej mundësia.

Portugezi shtoi se trajneri francez ishte gjithnjë i sinqertë me të dhe i qëndronte pranë në momente të rëndësishme, ku tensioni ishte mjaft i lartë. Mënyra se si Zidane e trajtonte Ronaldon, bënte që ky i fundit të kuptonte rëndësinë e tij në skuadër, çfarë sigurisht e shtynte të jepte gjithnjë më të mirën.

Lojtari i Juventus e mbylli deklaratën e tij duke thënë se që në fillimet e tij si futbollist ka patur respekt të madh për një figurë kaq të rëndësishme të këtij sporti sa Zidane, por kur ai pati mundësinë të punojë me të, kuptoi se kishte të bënte jo thjesht me një sportist të madh, por me një njeri që ishte gati të bënte gjithçka për të mbrojtur grupin që ai drejtonte.

Kështu, portugezi është i sigurtë se jo vetëm ai, por të gjithë lojtarët apo ish-lojtarët e Real Madrid, janë krenarë që kanë patur mundësinë të punojnë me trajnerin aktual të ‘los blancos’.