Cristiano Ronaldo sërish protagonist në Arabi

Sport

Cristiano Ronaldo sërish protagonist në Kupën e Arabisë Saudite. Në çerekfinale, Al Nassr, triumfoi 3-1 në transfertën e Raja Casablanca, duke siguruar në këtë mënyrë, biletën në gjysmëfinale, atje ku do të përballet me Al Shorta.

Sfida u zhbllokua në minutën e 19-të dhe ishte pikërisht CR7 ai që e dërgoi topin në fundin e rrjetës me një gjuajtje me të majtën në limite të zonës.

38 vjeçari e ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme në Arabi, duke shënuar 3 gola në po kaq ndeshje. 5 herë fituesi i Topit të Artë i është rikthyer edhe një herë formës optimale, teksa në takimin e radhës do të përpiqet të tregohet sërish protagonist dhe t’i sigurojë ekipit të tij në vend në finalen e Kupës.

Në gjysmëfinale, në 9 Gusht, Al Nassr do të ketë përballë ekipin e Al Shorta.

Pas këtij kompeticioni, CR7 me shokë do të bëhet gati për të nisur kampionatin. Misioni kryesor i Al Nassr do të jetë shfronësimi i Al-Ittihad. Përveç portugezit, me disa përforcime të rëndësishme këtë merkato, sikurse janë Marcelo Brozoviç, Alex Telles, apo edhe Sadio Mane, , Al Nassr ka ndërtuar mjaft pritshmëri në public, por të shohim se çfarë rezultatesh do të japë në fushën e lojës.