Dortmundi kërkon “gjithçka ose asgjë”, por Conte beson tek personaliteti i Inter

Sport

Lucien Favre, trajneri i Dortmund: “Duhet ta pranojmë se kjo ndeshje e radhës mund të luajë një faktor kyç në rrugëtimin tonë. Nuk mund të them me saktësi se si është gjendja e Marco Reus, apo nëse do të luajë apo jo. Mbetet për t’u parë se si do të eci me përgatitjet deri përpara ndeshjes. Ndaj Interit kemi nevojë për kontributin e të gjithëve. Në takimin e parë u përpoqëm të luajmë në mënyrën tonë, por neglizhuam në neutralizimin e pikave të tyre më të forta. Nuk mund të pranojmë që një gjë e tillë të ndodhë sërish. Tashmë e kemi kuptuar se ata janë të aftë të godasin në mënyra të ndryshme, prandaj në këtë ndeshje nuk duhet të bëjmë gabime të tilla.”


Julian Brandt, mesfushor i Dortmund: “”Mendoj se është e qartë që objektivi ynë për ndeshjen e radhës është vetëm një; fitorja. Nuk ka dyshime për këtë. Nuk mund të bëjmë të tjerë hapa fals dhe fakti që luajmë në shtëpi është një arsye më shumë për të prodhuar një performancë të madhe. Mendoj se ndeshjet e kësaj rëndësie gjithmonë kanë nxjerrë më të mirën tonë. E njëjta gjë besoj se do të ndodhë edhe në takimin e sotëm. Inter ka cilësi të jashtëzakonshme dhe luajnë një futboll cinik, që të ndëshkon në çdo moment. Do të japim maksimumin tonë dhe do të përpiqemi të sigurojmë një fitore me lojë të bukur.”


Antonio Conte, trajneri i Inter: “Luajtëm vërtet mirë në ndeshjen e parë dhe e merituam atë fitore në shtëpi. Jemi të vetëdijshëm se kësaj radhe gjërat do të jenë akoma më të vështira. Ata do të përpiqen të marrin fitoren me çdo kusht, por ne nuk kemi ardhur këtu për të parë se si luajnë ata. Mendoj se fakti që luajmë në një stadium kaq të ndezur do të na i vështirësojë gjërat. Ky është momenti i duhur për të treguar personalitetin tonë. Në të tilla nivele përballesh me çdi vështirësi, prandaj pres që skuadra ime të japë më të mirën e mundshme.”


Antonio Candreva, mesfushor i Inter: “Luajmë në një fushë shumë të vështirë. Këtu, Dortmundi është gjithnjë i frymëzuar për të dhënë më të mirën. Por i dimë cilësitë e tyre dhe treguam se kemi gjetur mënyrën e duhur për të neutralizuar pikat e tyre më të forta. Nuk ka rëndësi se cilët lojtarë do të hidhen në fushë nga ana e tyre, ne jemi të përqëndruar tek loja jonë dhe detyrat që na ka dhënë trajneri. Conte na ka dhënë shumë besim dhe ka nxjerrë më të mirën nga gjithësecili.”