Dovizioso thotë se forma e mirë e Marquez ka futur në krizë pilotët e tjerë

Sport

Me 6 fitore në 10 gara, Marc Marquez vijon ‘të fluturojë’ drejt rikonfirmimit si kampion bote në ‘MotoGP’. Edhe këtë sezon, duket thuajse e pamundur që spanjolli të humbasë titullin, pasi asnjë nga pilotët apo motorët e tjerë nuk kanë treguar vazhdimësi në rivalizimin e Hondas me numrin 93. Një nga rivalët më të mëdhenj të Marquez, Andrea Dovizioso, ka folur së fundmi pikërisht për këtë formë të shkëlqyer të spanjollit, që duket se po vendos në vështirësi të gjithë pilotët e ‘MotoGP’.
“Nëse shohim se çfarë ka ndodhur nga fillimi i sezonit, Marquez numëron kryesisht fitore dhe vende të dyta. Forma e tij është e jashtëzakonshme dhe të gjithë janë të vetëdijshëm për këtë gjë. Ka një motor që i përshtatet shumë mirë dhe mjaft të kompletuar, çfarë e lejon të shprehet lirisht në pistë. Kjo gjë po vendos në krizë të gjithë skuadrat dhe pilotët e tjerë, pasi tashmë e menaxhon garën edhe më mirë se më parë”.

Këto fjalë të Dovizioso tregojnë qartë se pilotët e tjerë kanë filluar të dorëzohet nga rivalizimi i Marc Marquez edhe për këtë sezon dhe njësoj siç ka ndodhur në sezonet e fundit, edhe pse jemi në mesin e kalendarit, puna e skuadrave është fokusuar për vitin e ardhshëm. Dovizioso tha se Ducati do të përpiqet të japë më të mirën në garën e ardhshme në Austri, pasi është një pistë që i përshtatet motorit italian. Megjithatë, 33-vjeçari shtoi se pavarësisht këtij fakti, Marquez ka treguar se mund të fitojë në çdo situatë të mundshme, çfarë sërish i komplikon gjërat për Ducatin e tij.