Dusan Vlahoviç mund të largohet nga Juventusi

Sport

Juventusi nuk duket të jetë ambienti i duhur për Dusan Vlahoviç, i cili që prej mbërritjes në “Allianz Stadium”, ka qenë vazhdimisht object bisede në merkato. S’mund të ishte ndryshe as këtë verë. Sulmuesi i qendrës nuk e ka gjetur dot veten nën urdhërat e Massimiliano Allegrit, lojës së të cilit nuk ka mundur t’i përshtatet dot. Si pasojë, ballkanasi është duke shqyrtuar mundësinë e largimit dhe nisjen e një tjetër aventure në karrierë.

Sakaq, përveç dëshirës së lojtarit, në pritje të ofertave për të, është edhe Juventusi. Sikurse raportojnë mediat italiane, një interes për të afruar lojtarin Vlahoviç, ka nisur të tregojë klubi i Chelsea. Blutë e Londrës, tashmë me një trajner të ri në krye, Mauricio Pochettinon, kanë si objektiv që të përforcohen në qendër të sulmit.

Romelu Lukaku nuk bind, largimi i të cilit nga “Stamford Bridge” duket thuajse i sigurt. Me milionat që do të sigurojnë nga shitja e belgut, londinezët, do t’i përdorin për siguruar një tjetër sulmues.

Më tej, duke marrë parasysh që për të siguruar shërbimet e Vlahoviç, Juventusi pagoi më tepër se 70 milionë euro në arkat e Fiorentinës në Janarin e 2022-shit, për të kompletuar shitjen, klubi torinez, kërkon pak a shumë të njëjtën ofertë në drejtim të ish-futbollistit vjollcë.

Deri më tani, kontakt direkt mes Juventusit dhe Chelsea, nuk ka, por, sipas raportimeve të huaja, nuk përjashtohet mundësia që çështja në fjalë, të marrë formë më konkrete përgjatë ditëve vijuese.