Dybala mund të qëndrojë tek Juventus edhe gjatë janarit

Sport

Deri në orët e fundit të merkatos verore ai shihej si një lojtar i larguar, por ja që Paulo Dybala është kthyer në një element të rëndësishëm për Juventusin e Sarrit. Madje 25-vjeçari ishte protagonist absolut në fitoren e rëndësishme kundër Interit në ‘San Siro’. Argjentinasi ishte shumë pranë largimit tek Manchester United dhe Tottenham, por disa mosmarrëveshje në momentet e fundit bënë që lojtari të qëndronte tek bardhezinjtë. Gjithësesi, transferimi i tij diku tjetër u fol se mund të ndodhte në janar, me një sërë skuadrash që janë gati të investojnë tek 25-vjeçari. Por paraqitjet e fundit të sulmuesit mund të kenë ndryshuar mendimin e trajnerit Sarri dhe të drejtuesve kryesorë të bardhezinjve, të cilët mund të vendosin në qëndrimin e lojtarit, të paktën deri në fundin e këtij sezoni.

Duke parë edhe dëshirën e Mario Mandzukic për t’u larguar sa më shpejt, Dybala mund të ishte një alternativë luksi në stolin e Sarrit, ndonëse ka edhe një konkurencë brenda skuadrës me Higuain sa i përket formacionit titullar. Kështu Dybala do të mbetet në Torino deri në qershorin e 2020-ës dhe vetëm një ofertë e rëndësishme mund të ndryshonte mendimin e drejtuesve të kampionëve të Italisë. Tottenham dhe Manchester United thuhet se janë ende të interesuara për shërbimet e Dybalas dhe përmbushja e kërkesave ekonomike të Juventusit nuk duket të jetë problem për të dyja skuadrat angelze. Paulo Dybala është pjesë e bardhezinjve që nga viti 2015, kur torinezët shpenzuan 40 milionë euro për ta transferuar nga skuadra e Palermos.