E diela në ‘Tring Sport’, spektakël dhe gola!

Sport

Ka dhuruar spektakël dhe gola e diela në ‘Tring Sport’, me emocionet që kanë kulmuar në derbin e madh të Stambollit, mes Galatasarayt dhe Besiktas. Në takimin që vlente shumë për luftën për titullin kampion, është Galatasaray që ka dalë fitues me rezultatin 2-0. Goli i Onyekuru në të 44-ën dhe Fernando në të 55-ën minutë vendosën fatet e këtij takimi, teksa pati kontestime të shumta të lojtarëve të Besiktas për disa vendime të gjyqtarit kryesor. Pas këtij triumfi besuarit e trajnerit Fatih Terim kanë marrë kreun e klasifikimit në ‘SuperLig’-ën turke, në kuotë të barabartë pikësh me Istanbul Basaksehir.


Nuk kishin të mbaruar golat në sfidën mes Belenenses dhe Sportingut të Lisbonës, me këta të fundit që fituan me goleadë 8-1. Në sfidën e vlefshme për javën e 32 të ‘Primeria Liga’-s, ishin ‘luanët’ që vendosën diktatin e tyre që në pjesën e parë me 2 gola, duke përfituar edhe nga një karton i kuq i akorduar për kundërshtarët.
Në Skoci, Rangers morën një fitore të vështirë 1-0 përballë Hibernian, ku vendosi goli i shënuar nga veterani Jermainë Defoe në fundin e pjesës së parë. Megjithatë, kjo fitore vlen vetëm për moralin e djemve të drejtuar nga Steven Gerrard, pasi Celtic siguroi matematikisht titullin kampion për herë të 8 radhazi, dhe për të 50-ën në historinë e tyre.