Etrit Berisha, a do të pranojë të jetë i dytë?

Sport

etrit
Që ky i cili sapo ka nisur do të jetë një sezon i vështirë për Etrit Berishën, tashmë kuptohet qartë. Për të dytën ndeshje radhazi, portieri ka qendruar në stol për Atalantën. Pas ndeshjes së parë të Serisë A kundër Frozinones, erdhi edhe lënia jashtë formacionit në takimin e së enjtes ndaj Kopenhagenit (0-0), e vlefshëm për play-off-in e Ligës së Evropës. Trajneri Gasperini ka preferuar të riun Golini, duke mos bërë rotacionin e pritshëm pasi ndeshja e djeshme luhej vetëm 3 ditë pas asaj të kampionatit. Statistikat në dorë, portieri i kombëtares shqiptare është aktivizuar titullar vetëm në 2 nga 6 ndeshjet e Atalanta-s në sezonin e ri, duke qenë në fushë për 90 minuta përkatësisht në 2 sfidat e Europa League kundër Sarajevo-s. Më tej i është rezervuar thjesht stoli. Një rol kyc në këtë drejtim duket se kanë luajtur edhe pasiguritë e shfaqura shpesh nga portieri, sidomos në rastin e barazimit 2-2 në takimin e parë kundër boshnjakëve.

berisha
Trajneri Gasperini ka parlajmëruar se do të ketë stafetë të vazhdueshme gjatë këtij sezoni midis dy portierëve. Por për momentin, i preferuari i tij mbetet dukshëm Golini, i cili mund të thuhet se i ka dhënë më shumë garanci, përmes paraqitjeve të bëra sa herë që i është dhënë shansi. Me portierin shqiptar që ka kaluar një zgjedhje e dytë, ndryshe nga sa ndodhte dy sezonet e fundit kur rezultoi një nga pikat kyce të bergamaskëve. Mbetet të shihet nëse vetë Berisha do ta pranojë këtë situatë, që rrezikon t’i rëndojë edhe sa i takon portës së Kombëtares, apo do të kërkojë që deri më 31 gusht të gjejë një skuadër tjetër, nga ato të kampionateve ku merkato është ende e hapur. Francezët e Lilë janë të interesuar prej kohësh për shqiptarin, megjithëse kërkesa e lartë e Atalantës sikur ka zbehur ngulmimin e këtij klubi në adresë të Berishës.