F1, Binotto shpjegon largimin e Vettel nga Ferrari

Sport

Lajmi që mori gjithë vëmendjen e ‘Formula 1’ javën e kaluar ishte largimi i Sebastian Vettel nga Ferrari. Në mënyrë të papritur, piloti gjerman lajmëroi se kishte ndërprerë marrëveshjen me markën italiane dhe 2020-a do të jetë viti i tij i fundit me makinën e kuqe. Lajmi u konfirmua edhe nga ana e skuderisë së ‘Formula 1’, teksa tanimë ka ardhur edhe një shpjegim nga marka italiane rreth këtij vendimi mjaft të rëndësishëm. Shefi i skuadrës, Mattia Binotto ka deklaruar se me Sebastian, Ferrari ka mbyllur tashmë një kapitull dhe prej 6 vitesh, palët kanë dhënë maksimumin për të marrë rezultatet e duhura. Numri 1 i Ferrarit shtoi se e admiron Vettel si pilot dhe si njeri, por gjërat në ‘Formula 1’ kanë ndryshuar vërtet shumë, jo vetëm nga ana ekonomike, por edhe nga ajo teknike e sportive. Binotto zbuloi se ai dhe drejtuesit e tjerë të skuadrës kanë biseduar gjatë me Vettel dhe dolën në konkluzionin që palët nuk kanë të njëjtat objektiva për të ardhmen. Për këtë arsye, zgjidhja më e mirë ishte mosrinovimi i kontratës, por Binotto siguroi se gjatë 2020-ës, Ferrari do të bëjë të pamundurën që Vettel të ketë mundësinë të luftojë për titullin kampion deri në fund. Skuderia italiane nuk mori kohë për të zyrtarizuar edhe pilotin që do të marrë vendin e gjermanit nga viti 2021. Carlos Sainz do të bashkohet me Charles Leclerc, ndërkohë që vendin e spanjollit tek McLaren, do të marrë piloti australian, Daniel Riccardo.