F1, Ricciardo nxit më tej spekulimet e largimit, dua makinën më të mirë të mundshme

Sport

ricciardo
Triumfi në Çmimin e Madh të Kinës nuk mjafton për ta bindur Daniel Ricciardon që të nënshrkuajë kontratë të re me Red Bullin. Kështu ka bërë me dije vetë australiani i cili në fund të vitit 2018-të do jetë pa kontratë dhe prej kohësh po përflitet për një interesim të Mercedezit dhe Ferrarit për ta bërë atë pjesë të skuadrave të tyre. “Dua që të kem makinën më të mirë të mundshme, mendoj se fundjava provoi se nëse e kam këtë mundësi mund të shpërblej gjithcka” – ishte komenti i Ricciardos pasi fitoi garën e tretë të sezonit. Australiani nuk ka treguar gjë në lidhje me situatën kontraktuale por ka nënkuptuar se kërkon të jetë më konkurrues.

ricciardo12

28-vjecari ka fituar 6 gara që kur u soll nga Toro Rosso te skuadra kryesore e Red Bullit në vitin 2014-të. Por duhet thënë se që pas largimit të Sebastian Vettel, skuadra nuk ka mundur të konkurrojë asnjëherë në luftën për titullin kampion. Problemet me furnitorin Renault kanë qenë të vazhdueshme, pasi fuqia e motorëve francezë nuk i është afruar në asnjë moment dyshes Mercedez-Ferrari. I pyetur nëse e sheh të mundshme që këtë sezon të jetë ndryshe, Ricciardo është shprehur se duhen edhe fitore të tjera për ta thënë këtë. “Nëse fitojmë në Baku dhe në garën pas kësaj, mbase mund ta them se po, por është herët” – ka theksuar australiani i cili mbetet i përfolur si zëvendësues i mundshëm i Raikkonenit te Ferrari apo njërit mes dyshes Bottas-Hamilton te Mercedesi.