Fabregas në janar tek Milan?

Sport

geregeegge

Milani mendon seriozisht për Cesc Fabregas. Eshtë ky lajmi që përcillet nga shtypi italian, sipas së cilit Drejtori Sportiv i kuq-e-zinjve Massimiliano Mirabelli ka udhëtuar për në Londër, për të biseduar kokë-më-kokë me drejtuesit e Chelsea-it mbi të ardhmen e mesfushorit spanjoll. Objektivi është që Fabregas të transferohet në Milano që në janar, kjo për t’i ardhur në ndihmë trajnerit Vincenzo Montella pas lëndimit të Ricardo Montollivos. Sipas shtypit italian, 29-vjecari e pëlqen këtë mundësi pasi në San Siro ai do të mund të gjente vendin e titullarit, ndërkohë që në Stamford Bridge Antonio Conte nuk i ka besuar kurrë që kur e mori drejtimin e skuadrës. Corriere Dello Sport shkruan se operacioni për të transferuar Fabregasin është i vështirë, pasi problem mbetet paga prej 6 milionë eurosh që ai merr në Londër. Chelsea shpenzoi 33 milionë euro për ta transferuar spanjollin nga Barcelona dy vite më parë. Fabregas ka një karrierë të shkëlqyer dhe pothuajse të përmbushur për sa i përket trofeve, në arritjet e tij mungon vetëm Champions League-a, ndërkohë që është shpallur Kampion Anglie me Chelsea-in, Kampion Spanje me Barcelonën, Kampion Bote për klube po me Barcelonën dhe nga ana tjetër me Spanjën ka shijuar dy tituj kampion Evrope dhe një titull kampion Bote. Nëse nuk arrihet ai, si plan rezervë Milani mban nën vëzhgim kroatin Badelj të Fiorentinës dhe brazilianin Hernanes të Juventusit.