FINALJA E UCL, GUARDIOLA JEP VLERESIMIN E TIJ PER INTERIN SI KUNDERSHTAR

Sport

Pep Guardiola e arriti finalen e katërt të Ligës së Kampionëve si trajner pasi me Manchester Cityn e tij e eliminoi Real Madridin në gjysmëfinale. Ajo e Stambollit do të jetë finalja e dytë e Championsit për Guardiolën si trajner i “Citizens”, kurse dy të tjera i përjetoi me Barcelonën. Me këtë rast, me katër finale në garën më prestigjioze të futbollit evropian, ai iu bashkua trajnerëve të mëdhenj si Marcello Lippi, Jurgen Klopp e Alex Ferguson. Vetëm një trajner ka statistika më të mira se Pep dhe ai është Carlo Ancelotti, i cili e ka shijuar pesë herë si trajner finalen e Ligës së Kampionëve, ndërsa mbrëmë dështoi ta bënte një gjë të tillë për të gjashtën herë. Guardiola synon ta fitojë trofeun e tretë të Championsit, ndërsa dy herë ia ka dalë  me Barcelonën, teksa një herë kishte dështuar në finale me Man Cityn. Në këtë rast, ai do t’i afrohej prapë Ancelottit, i cili i ka katër trofe të Ligës së Kampionëve të fituar si trajner, dy me Milanin dhe dy me Real Madridin. Trajneri i Manchester Cityt, u ka dhënë një lëvdatë të veçantë yjeve të ekipit të tij, pasi ata vulosën një vend në finalen e Ligës së Kampionëve pas fitores së thellë ndaj Realit, duke fituar 4-0 sfidën e kthimit. “Këta djem e kanë bërë për shumë vite dhe sot kanë marrë shpërblimin që meritojnë. Një finale kundër një skuadre italiane nuk është gjëja më e bukur, duke ditur mënyrën sesi luajnë në mbrojtje. Mirëpo do të provojmë. Kur në short ishte Real Madridi , thashë e dua sërish kundërshtar. Jam shumë i kënaqur për organizimin, klubin, presidentin dhe lojtarët. Kisha ndjesinë këto ditët e fundit se kishim një përzierje qetësie dhe tensioni për të luajtur këto lloj lojërash. Pas 10 apo 15 minutash pata ndjesinë se e gjithë dhembja që patëm gjatë sezonit të kaluar ishte aty. Por ja që edhe pse duhet të gëlltisësh helm, jeta dhe sporti të japin gjithmonë një shans tjetër. Gjëja më e rëndësishme është të mos dorëzohesh kurrë! Ne e pranuam atë humbje, por sot jemi ne që shkojmë në finale. Gjëja e rëndësishme është të jemi aty dhe jemi një ndeshje larg fitimit të Ligës Premier. Nëse ndodh, jemi për tre vite me radhë fitues të Premier Ligës dhe dy herë në një finale të Ligës së Kampionëve. Kjo është vërtet e jashtëzakonëshmme”, përfundoi trajneri i Cityt.