Gjimshiti, një nga bastet e Gasperinit

Sport

beraati

Nga i harruar, në titullar. Kështu konsiderohet Berat Gjimshiti, prej “Bergamo Post” në një artikull të saj, ku e cilëson mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, si atë me historinë më të pabesueshme në radhët e Atalantës së këtij fillimsezoni. Vitin e kaluar, ai luante me Beneventon dhe përkundër rënies nga kategoria të asaj skuadre, Gjimshiti diti të krijojë vendin e vet në Serinë A italiane. Aq sa bindi skuadrën që zotëronte kartonin e tij, Atalantën, për ta rikthyer në bazë. E megjithëse ish-trajneri i Bevenevtos, De Zerbi, e kërkonte me ngulm për qendrën e mbrojtjes te Sasuolo e tij, lojtari shqiptar priti me durim radhën e vet në Bergamo.

gjimsh
Që prej fillimit të këtij kampionati, trajneri Giampiero Gasperini e ka aktivizuar me vazhdimësi. Në tre sfidat e para kundër Frozinones, Romës e Kaljarit, vështirësitë ishin jo të vogla, por mbrojtësi shqiptar luajti pa frikë, aq sa rezultoi një nga më të dalluarit në fushë. Sigurisht nuk u shfaq perfekt, por mund të thuhet se në rolin që sezonet e fundit i takonte Matia Kaldaras, 25-vjeçari i lindur në Zyrih, u impenjua pa vështirësi të mëdha. E madje iu afrua në disa raste edhe golit. Drejtuesit e klubit bergamask kanë besim të madh se ai do të vazhdojë të rritet. Gjithsesi deri në janar, Gjimshiti do të jetë alternativa e parë e tre titullarëve të mbrojtjes së Atalantës. E teksa pritet të luajë 90 minuta edhe me Kombëtaren shqiptare ndaj Izraelit, Atalanta mund të thuhet se e ka gjetur ‘Kaldaran e ri’. Ose të paktën një që i përafrohet atij.