Hamilton mposht Bottas,Ferrari dështon sërish !

Sport

Lewis Hamilton ka triumfuar në ‘Çmimin e Madh’ të Spanjës dhe ka rimarrë kreun e klasifikimit në këtë sezon të ‘Formula 1’. Piloti britanik i Mercedes, që nisej nga vendi i dytë, ia doli të merrte kreun që në start në dëm të shokut të skuadrës, Valteri Bottas, dhe më pas për Hamilton gjithçka ishte çështje menaxhimi. Bottas u përpoq të jepte disa shenja në fundin e garës, duke përfituar edhe nga ndërhyrja e makinës së sigurisë, por finlandezi nuk kishte potencialin e duhur për të rivalizuar me Hamilton. Podiumi në Spanjë u plotësua nga piloti i Red Bull, Max Verstappen, që bëri një garë të mirë, duke u mbrojtur edhe nga sulmet e dy makinave Ferrari.

Për skuderinë italiane kjo garë ishte një tjetër dështim, pas Vettel dhe Lelcerc u renditën vetëm në vendet 4 dhe 5, teksa diferencat me makinën e Hamilton ishin të mëdha. Në këtë mënyrë, Mercedes vendos një rekord absolut në ‘Formula 1’, duke fituar 5 garat e para me të dyja makinat në krye. Tashmë Hamilton mban vendin e parë në renditjen e përgjithshme me 112 pikë, ndërkohë që Bottas ndjek 105 pikë. Kurse Max Verstappen është ngjitur në vendin e tretë me 66 pikë, vetëm 2 më shumë se Sebastian Vettel. Ndërsa në renditjen e konstruktorëve, Mercedes dominon me 217 pikë, me Ferrarin që ndjek e distancuar me 121 pikë.