Ibrahimovic: E ardhmja ime në dorën e Raiolas

Sport

Zlatan-Ibrahimovic
E ardhmja e Zlatan Ibrahimoviç është e gjitha për t’u shkruar. Suedezi nuk jep asnjë garanci në lidhje me qëndrimin te Paris SG. Madje, vetë sulmuesi ka lëshuar një frazë që mund të shtojë shanset për ta rishikuar me fanellën e Milanit.
Pas miqësores së fituar 4-2 në Neë Jersey kundër Fiorentinës, sfidë Zlatan rigjeti edhe golin, teksa është pyetur mbi të ardhmen e tij, ai është përgjigjur: “E ardhmja ime është në duart e agjentit tim, Mino Raiola”. Pak, por domethënëse duken këto fjalë të Ibras, i cili mesa duket lë të hapur çdo skenar dhe nuk siguron aspak tifozët parizienë në lidhje me vazhdiminë e marrëdhënies me kampionët e Francës.
Sa i takon mundësisë së rikthimit te Milani, për të mos u nënvlerësuar është fakti që administratori kuqezi adriano Galiani ka një raport të shkëlqyer me agjentin e suedezit. Aq sa që në qershor ishte folur edhe për gjetjen e një akordi paraprak. Tashmë, drejtuesi milanist është gati të kthehet në sulm, me shumë mundësi duke nisur nga muaji I ardhshëm. Pas 1 gushtit, gjithçka duket se do të jetë më e realizueshme, përderisa deri atëherë i është kërkuar të qëndrojë në Paris nga ana e sheikut Al Thani.
Gjithçka mbetet në dëshirën e lojtarit, pasi nëse ai shpreh dëshirën të kthehet në Itali, atëherë Raiola e Galiani do të bëjnë ta mundur operacionin. Kështu që për momentin, tifozët kuqezi nuk mund të bëjnë dot tjetër gjë veçse të shpresojnë. Natyrisht, duke ëndërruar një sulm Ibra-Bacca-Luiz Adriano.