Ibrahimovic shfaqet skeptik për vazhdimësinë e holandezëve!

Sport

Zlatan Ibrahimovic duket se po përjeton një rini të dytë në Amerikë, teksa në 8 ndeshjet e para të sezonit në ‘MLS’, ka arritur të shënojë 9 gola. Edhe pse përtej Atlantikut, sulmuesi suedez vazhdon të jetë protagonist në futbollin europian falë deklaratave të tij. Së fundmi, Ibra ka folur rreth ecurisë së ish-skuadrës së tij, Ajax-it në ‘Champions League’. 37-vjeçari është ndalur tek deklaratat e kolegëve dhe ish-kolegëve të tij, të cilët janë shprehur se sido që të shkojë aventura e Ajax-it në ‘Champions’, ekipi i Ten Hag ka fituar shumë tifozë falë lojës së bukur që kanë shpalosur. Ibrahimovic thotë se të tilla gjëra nuk vlejnë në futbollin modern.

Sulmuesi i LA Galaxy thotë se gjithçka që ka rëndësi është fitimi i trofeve, dhe jo loja e bukur. Sipas Ibras, triumfet në kompeticione të tilla mund të arrihen në çfarëdo lloj mënyre, por kjo pak rëndësi do të ketë, pasi në fund gjithmonë vlen trofeu. Veterani shtoi gjithashtu se fakti që Ajax-i po luan mirë po fiton është diçka e madhe për klubin legjendar holandez, por gjithësesi Ibra mbetet skeptik nëse ‘harkëtarët do të vazhdojnë të kenë një ecuri të tillë edhe në sezonet e ardhshme. Zlatan Ibrahimovic ka fituar plot 31 trofe në karrierën e tij, ndërsa aktualisht ëshët i fokusuar tek LA Galaxy, ku këtë sezon synon të thyejë rekordin e vitit të kaluar, pasi shënoi 22 gola në 27 ndeshje të ‘MLS’.