Juventus-Monaco, pasqyrimi i shtypit sportiv

Sport

6565

Mes Juventusit e Monaco, duhen luajtur edhe 90 minutat e sotme për të qenë të sigurtë plotësisht mbi skuadrën që do të shkojë në Kardif. Megjithatë, sidomos shtypi italian është përqendruar që tani te finalja e 3 qershorit, duke u bazuar te ajo fitore 2-0 e arritur në transfertën e Luigjit të Dytë, nga bardhezinjtë përpara 1 jave.
“MISIONI FINALE” ishte titulli i Gazzetta Dello Sport, që e shoqëroi me shëmbëlltyrën e fytyrës së trajnerit italian Masimiliano Allegri mbi trofeun e Champions League. Nuk mungoi as një nëntitull për Buffonin, i cili mbetet në ndjekje të një triumfi në Champions prej një karriere të tërë, triumf që sipas analizave sportive në Itali, do mund t’i japë atij edhe “Topin e Artë”.
Me sytë drejt Kardifit ishte edhe gazeta torineze “Tuttosport”, që u hap me titullin “BRITMA FINALE”. Ndërkohë që në foton kryesore kishte vendosur Mario Mandzukiç, që shihet si shpirti i sakrificës së Juventusit, bashkë me Mbape’, i cili konsiderohet si njeriu më i rrezikshëm i Monaco.
Nga ana tjetër, në Francë përpiqen t’i japin kurajë Monacos, që në këtë situatë nuk ka çfarë humbet. “L’Equipe” mjaftohet me një “Provoni gjithçka!”. Ndërsa gazeta lokale “Le Matin Monaco” titullon “Do të ishte një çmenduri…”, duke aluduar se një përmbysje e rezultatit të ndeshjes së parë duket gati e pamundur.