Karton i kuq dhe pezullim me një ndeshje, Jose Mourinho: Nuk do ndryshoj asnjëherë

Sport

Jose Mourinho nuk mund të ndryshojë dot. As një karton i kuq, apo as një pezullim, nuk mund të ndikojnë në sjelljen e “Special One”.

Në ndeshjen e fundit në kampionat, atë ndaj Atalantës në shtëpi, portugezi u ndëshkua me karton të kuq për shkak të protestave ndaj arbitrit kryesor Daniele Chiffi. Si pasojë, Disiplina e futbollit italian, e pezulloi Mourinhon me një ndeshje pezullim nga aktiviteti.

I pyetur pikërisht në lidhje me këtë çështje, 59 vjeçari është shprehur se sido që të jetë, ai nuk ka për të ndryshuar.

“Tashmë u bënë 22 vite si trajner dhe protestat nuk janë asgjë e re për mua. Ndoshta janë ato që më karakterizojnë dhe për këtë arsye nuk dua të ndryshoj”.

Më tej, i pyetur në lidhje me objektivat e Romës për këtë sezon futbollistik, takticieni portugez ka dhënë një përgjigje që ka prekur edhe kundërshtarët e tjerë. “Në sezonin e kaluar shkuam përtej pritshmërive, ndërsa këtë edicion do përpiqemi të bëjmë akoma edhe më mirë. Nuk kemi potencialin ekonomik si kundërshtarët tanë, pasi “operuam” në merkato me vetëm 7 mln euro. Megjithatë, nuk na mungon kualiteti, apo pasioni i njerëzve që duan të punojnë së bashku, diçka që është shumë e rëndësishme. Në fund të sezonit do të shohim se deri në çfarë pike mund të arrijmë”, ka mbyllur Mourinho.

Tashmë 59 vjeç, e pavarësisht 22 viteve karrierë, Mourinho e sheh ende larg tërheqjen nga detyra e trajnerit. Ai është shprehur se ndihet i motivuar për të fituar dhe përpara e presin ende disa vite të tjera.