Kërkohet nga Bayern Munich, por City mund të rinovojë me lojtarin

Sport

Kyle Walker mund të rinovojë kontratën me kampionët e Manchester Cityt. Përgjatë ditëve të fundit, mbrojtësi i djathtë është komentuar ndjeshën në merkato, teksa Bayern Munich ka shfaqur një interes potencial për të.

Në një moment, u duk sikurse City u dorëzua dhe anglezi do të nisej drejt bavarisë, por situata ngjan sikur ka ndryshuar sa hap e mbyll sytë. Mediat e huaja raportojnë se klubi kampion i Europës, City, synon që Walker të mbetet pjesë e organikës, prandaj ka nisur nga puna që t’i ofrojë mbrojtësit një rinovim të marrëveshjes, me atë aktualen që përfundon në verën e ardhshme.

Ndonëse 33 vjeç, nën urdhërat e Pep Guardiolës, Walker ka treguar se është një element thelbësor për skuadrën, jo vetëm në repartin mbrojtës, por gjithashtu edhe në atë sulmues. Përgjatë sezonit 2022/23, Walker nuk po e niste më si titullar në formacion dhe në media u përfol jo pak se largimi i tij nga Etihad do të ishte thjesht çështje kohe. Por, Pep Guardiola mund të ketë ndryshuar mendim, duke e konsideruar ish-lojtarin e Tottenham, përsëri të rëndësishëm, edhe për sezonin e ardhshëm.

Se ç’do të ndodhë me këtë çështje, kjo mbetet për t’u parë në vijimësi, pasi nga ana tjetër, as Bayerni nuk është dorëzuar, por kërkon që të sigurojë sa më parë shërbimet e mbrojtësit të djathtë. Ndoshta, vetë dëshira e Walker mund të jetë vendimtare në këtë mes, për të përcaktuar, se ku do të luajë ai në edicionin e ardhshëm futbollistik.