Kevin Durant rrëfehet për largimin nga Warriors, sqaron dhe…

Sport

Kevin Durant pritet të jetë një nga ata që do të ndryshojë fytyrën e skuadrës së Brooklyn Nets, së bashku me Kyrie Irving. Kalimi i legjendës së NBA nga Golden State Warriors në ‘Konferencën Lindore’ ishte krejtësisht një lëvizje e papritur dhe ‘KD’ ka rrëfyer të gjitha të vërtetat dhe prapaskenat që e shtyn yllin e NBA të largohej nga Warriors. Durant rrëfeu se prej shumë kohësh kishte kuptuar që nuk ndihej tamam pjesë e Golden State. Shumë tifozë, por edhe media nuk e konsideronin Durant si ‘një të familjes’, duke iu referuar trajtimit që kishin yjet e tjerë të skuadrës si Steph Curry, Klay Thompson apo Draymond Green. Durant pranoi se fakti që të tre këta lojtarë janë përzgjedhur nga Golden State që në ‘draft’ ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë gjë, por me kontributin që vetë Durant kishte dhënë për skuadrën, priste në fakt diçka më shumë. Pikërisht kjo ka qenë arsyeja kryesore që e shtyu 30-vjeçarin të largohej nga Warriors dhe të transferohej tek Brooklyn Nets, ku ai do të ketë mundësinë të luajë së bashku me një nga miqtë e tij më të mirë në NBA, Kyrie Irving.

Në rrëfimin e tij, ‘KD’ foli edhe për problemet e vazhdueshme që ai ka patur me tifozët e Oklahomas. Sa herë që Durant luan në parketin e këtyre të fundit, ai duhet të vuajë ofendime dhe kore nga më të ndryshme ndaj tij. Siç tha vetë lojtari, kjo gjë ka bërë që ai të mos e mendojë me Oklahoman si skuadra e fëmijërisë, ku dhe u formua, por thjesht si një skuadër të karrierës, ku ai nuk mendon të kthehet më kurrë.