Kombëtarja në Islandë, për ta nisur mbarë epokën ‘Reja’

Sport

Kombëtarja shqiptare ka mbërritur në Islandë, aty ku do të zhvillojë ndeshjen e tretë zyrtare për këtë vit në kuadër të eliminatoreve të Evropianin 2020. Kuqezinjtë synojnë të nisin sa më mbarë epokën me trajnerin e ri Edy Reja, pas 1 humbjeje dhe 1 fitoreve në dy takimet e para. Lojtarët dhe stafi drejtues zbarkuan të enjten në Rejkjavik, ku zhvilluan dy seanca stërvitore në prag të ndeshjes ë do të zhvillohet të shtunën, në orën 15:00.  Sipas programit të paracaktuar, skuadra pas mbërritjes në Islandë, ka drekuar, dhe pas një pushimi të shkurtër i është drejtuar fushës për rutinën stërvitore. Gjatë gati 90 minutave, Reja dhe stafi i tij aplikuan variante taktike, zhvilluan lojë në grup dhe disa ushtrime rikuperuese në aspektin fizik. Sidomos mësohet se tekniku Edi Reja ka aplikuar shumë goditjet standarte, që mund të jenë të vlefshme për të përballuar ishullorët. Tekniku italian pritet që si përfundim të zgjedhë për të luajur me rreshtimin 3-5-2, me sulmin që pritet të bazohet tek Cikalleshi dhe Uzuni.


Nga ana tjetër, vendasit duket se janë përgatitur plotësisht për pritjen e kombëtares sonë dhe kanë qenë gjithë sy e veshë për këtë ndeshje. Sa i takon kushteve klimaterike, kombëtares i duhet të përballet me temperatura të ulta, krahasuar me klimën që i shoqëroi gjatë qëndrimit në Frankfurt të Gjermanisë. Për sfidën e së shtunës kanë udhëtuar edhe një grup tifozësh nga Shqipëria, megjithëse pritet që numri i tyre të shtohet me emigrantë që mund të nisen nga vendet europiane, apo që mund të jetojnë në Islandë.