Lacio me ritëm rekord! Strakosha: Të vijojmë kështu!

Sport

10 fitore radhazi në kampionat për Lacion, që po fluturon si kurrë më parë. Merita për këtë i takon edhe portierit shqiptar Thomas Strakosha, i cili falë pritjeve vendimtare sidomos ndaj Napolit, është vlerësuar maksimalisht nga mediat italiane. Së bashku me autorin e golit, Immobile, Strakosha mori notën maksimale 7 për paraqitjen e tij, teksa i është evidentuar fakti që ka blinduar rezultatin final duke i mohuar barazimin Insigne-s dhe Milik.
Vetë gardiani i Kombëtares kuqezi nuk kërkon të përfshihet nga entuziasmi, duke treguar se ka bërë vetëm detyrën e tij. “Po përjetojmë një moment të bukur, jemi të përqendruar dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu. Tifozët janë gjithmonë e më të rëndësishëm për ne. Eshtë bukur të shohësh një stadium të mbushur plot. Deri tani ia kemi dalë edhe falë shtysës së tyre. Natyrisht duke mos pak fat në anën tonë”, ka deklaruar Strakosha për kanalin tematik të Lacios. Ndër të tjera ka pranuar se pritja më e vështirë ishte ajo e dyta përballë Insinjes, përderisa nuk shikoi topin të nisej.
Pavarësisht se Juventusi u shpall kampion i dimrit me 48 pikë, skuadra laciale mund të konsiderohet tashmë pa frikë si një nga pretendentët për titullin: 42 pikë në fazën e parë, me një ndeshje ende për të rikuperuar ndaj Veronësm, nuk ishin regjistruar kurrë më parë për bardhekaltërit. Mbi të gjitha, Lacio e Inzagit po thyen të gjitha traditat negative gjatë këtij sezoni, duke e nisur fillimisht me Milanin, pastaj me Juventusin e tani me Napolin.