Lajm i mirë për Inter!

Sport

Teksa përgatiten për derbin ndaj Milanit, tifozët e Interit kanë marrë një lajm shumë të mirë përpara se të përballen me rivalët e tyre historikë. Marcelo Brozoviç do rinovojë kontratën me zikaltërit deri në vitin 2026-të, duke i dhënë fund në këtë mënyrë dilemës disa mujore mbi këtë çështje. Si klubi, po ashtu edhe lojtari, më në fund janë dakordësuar për të vijuar më tej bashkëpunimin.

Nga marrëveshja e re, Brozoviç do fitojë një pagë vjetore që shkon deri në 6 mln euro, plus do marrë të ardhura shtesë që do i shkojnë në formën e bonusit. Kësisoj, Interi çlirohet nga një temë shumë e komplikuar, sikurse ishte rinovimi i Brozoviç. Teksa telenovela vijonte të zgjaste, për futbollistin në fjalë nuk mungonin as aludimet në merkato, me klube të ndryshme europiane që kërkonin të siguronin shërbimet e tij me kosto zero në fund të këtij edicioni futbollistik. Megjithatë, diçka e tillë ka marrë fund, ndërsa tanimë pritet vetëm zyrtarizimi i rinovimit të kontratës së lojtarit kroat.

Brozoviç është pjesë e Interit që prej vitit 2016-të dhe gjatë kësaj kohe ka qenë një ndër lojtarët më të rëndësishëm të zikaltërve në fushën e lojës. Mjaft thelbësor ka rezultuar edhe përgjatë edicionit të kaluar, kur Interi fitoi titullin kampion, e po ashtu vazhdon të ketë të njëjtën peshë edhe këtë vit futbollistik nën urdhërat e trajnerit Simone Inzaghi.