Leicester, Brendan Rodgers dhe mesfusha e ‘dhelprave’, faktorët që i kanë kthyer në pretendentë

Sport

Fitorja e 8 radhazi tregon që rezultatet e mëparshme dhe paraqitjet e mira në fushën e lojës nuk janë një rastësi. Leicester është tashmë ndjekësi kryesor i Liverpool për kreun e ‘Premier League’ dhe ndonëse mes tyre ka një distancë prej 9 pikësh, tek ‘the reds’ duhet të jenë kujdesshëm me situatën e krijuar. Ndonëse fillimisht lufta e skuadrës së Klopp ishte përqëndruar tek rivalët e mëdhenj të Manchester City, në skenë tashmë është një tjetër kundërshtar. Leicester po shijon një moment mjaft të mirë, që bën tifozët e ‘dhelprave’ të ëndërrojnë për një tjetër surprizë si në vitin 2016. Faktorët që ndikojnë tek kjo formë e mirë e Leicester janë shumë, por statistikat flasin për 2 pika në veçanti. Ardhja e trajnerit Brendan Rodgers ka ndryshuar fytyrën e ‘dhelprave’ në krahasim me sezonin e shkuar. Rodgers është një mjeshtër i ‘Premier League’.

Tekniku 46-vjeçar, i cili ka drejtuar Liverpool-in nga 2012-a në 2015-ën, ka sjellë një rreshtim të ri taktik të Leicester në fushën e lojës, duke bërë që shumë lojtarë të nxjerrin më të mirën nga vetja. Në veçanti, në këtë aspekt kanë shkëlqyer mesfushorët. Treshja Tielemans, Ndidi dhe Maddison kanë fituar vëmendjen e të gjithëve me paraqitjet e tyre, duke qenë vendimtarë në ecurinë e shkëlyqer të ‘dhelprave’ deri më tani. Ndidi shihet si një N’Golo Kante i ri, madje me pak më shumë teknikë se lojtari aktual i Chelsea. Tielemans është nga ata emra, cilësia dhe talenti i të cilit njihet prej kohësh, por që vetëm nën drejtimin e Rodgers po ia del të nxjerrë më të mirën e tij. Ndërkohë që yll i kësaj skuadre mbetet edhe James Maddison. Një lojtar që nuk kërkon të bëjë zhurmë, por thjesht të ndihmojë skuadrën të fitojë. Deri më tani, ai e ka bërë këtë gjë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shënuar 5 gola e duke shërbyer 4 asiste, teksa është lojtari që krijon më shumë raste në radhët e Leicester. Kjo ja bën më të thjeshtë një sulmuesi si Jamie Vardy, i cili është kthyer në formë duke kryesuar listën e golashënuesve në Angli me 16 gola e duke premtuar një tjetër sezon emocionues për tifozët e ‘dhelprave’.