Lenjani-gol, në historinë e futbollit zviceran!

Sport

lenjaninzvc
Injorimi që i bëri ish-tekniku i Kombëtares, Christian Panucci, duket se po vijon të japë ende efekt pozitiv për Emir Lenjanin. Anësori shqiptar i Sionit ka shënuar tjetër gol në Zvicër, e madje ka dhënë edhe një asist, duke dërguar në 6 si numrin e golave të shënuar në këtë kampionat, ashtu edhe të pasimeve vendimtare për shokët e skuadrës. Padyshim që ky mund të konsiderohet si viti më i mirë i karrierës së lojtarit të përfaqësues kuqezi, i cili kishte arritur të njëjtën kuotë të golave vetëm 9 vite më parë, atëherë kur luante në kategorinë e dytë zvicerane te Vinterthur.

Ermir Lenjani
Mirëpo goli që hapi serinë e barazimit 2-2 ndaj Luzernit ishte i veçantë, pasi e shkroi emrin e Lenjanit edhe në historinë e futbollit në Zvicër. Konkretisht, anësori kuqezi ka mundur të barazojë rekordin e golit më të shpejtë në historinë e Superligës helvete, pasi dërgoi topin në rrjetë pas vetëm 10 sekondash lojë. Dhe kuriozitet përbën fakti se edhe lojtari me të cilin tashmë ndan këtë arritje është një ish-futbollist i Sionit, Musa Konate, i cili e pati vendosur rekordin përgjatë vitit 2015. Ndërkaq, nuk ka munguar dhe vetë komenti i 29-vjeçarit pas ndeshjes teksa shprehet i lumtur që është pjesë e historisë së futbollit zviceran. “Shumë i lumtur që jam futur në histori të futbollit zviceran për golin më të shpejt të shënuar. Falenderimi i takon Zotit”, shkruajti vetë lojtari në Instagram. Edhe në ndeshjen e kaluar përballë Thunit, Lenjani ishte më i miri në fushë për të tijtë, teksa i dhuroi fitoren Sionit, me dy golat e shënuar.