Lenjani thumbon Panucci: S´më ka dhënë shumë shanse!

Sport

lenjanipanid.jpg

Pas ndërprerjes dimërore të kampionatit zviceran, Ermir Lenjani ka zgjedhur të kalojë disa ditë pushimi në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Anësori i Sionit ka qenë i ftuar special në emisionin “Mysfairi i Mëngjesit” në televizionin RTK, ku foli në lidhje me përvojën e tij në Zvicër. Sidoqoftë, pa lënë mënjanë as Kombëtaren shqiptare. Ndër të tjera, futbollisti kuqezi ka zbuluar se te Sioni po bën rolin e sulmuesit kohët e fundit, një zgjedhje e trajnerit të tij turk, edhe pse flitet për diçka jo natyrale për të si futbollist. “Në fillim patëm një trajner zviceran te Sioni, nuk patëm rezultate. Tani presidenti solli një trajner turk dhe na ka ecur shumë mire me të. Edhe mua ka ndërruar pozicionin në fushë. Tani po luaj si sulmues te Sioni. Në fakt, siç e dinë të gjithë, roli im natyral është në mbrojtje dhe mesfushë. Por, nuk po shënonim dot gola te Sioni, krijonim pak aksione. Unë isha më i shpejti në testet e skuadrës dhe trajneri më tha: “Je sulmuesi i dytë që tani, me Pajtim Kasamin. Tani po jap më shumë asiste. Në fillim e pata disi të vështirë. Gjatë ndeshjeve më binte në mendje të kthehesha mbrapa. Dhe kthehesha pa vetëdije, ndërsa trajneri më thoshte rri përpara, ku të kam thënë. Tani jam ambientuar me pozicionin e ri”.
Gjithashtu, Lenjani ka rrëfyer dicka edhe në lidhje me marrëdhëniet që ka me lojtarët e tjerë me origjinë shqiptare që aktivizohen në Zvicër. Aty ku thotë se më në fund ndihet mirë pas një periudhe të vështirë të kaluar në Francë. “Në Zvicër ka rreth 20-25 futbollistë me origjinë shqiptare. Para ndeshjeve bëjmë shaka, komunikojmë me mesazhe me njëri-tjetrin. Ngacmohemi se kush do të fitojë. Ndihem mirë që u riktheva në Zvicër. Aty jam më rehat. Kam familjen dhe shokët aty. Në Francë ishte më e vështirë, sepse shumë raste isha vetëm. Kurse në Zvicër, i njoh të gjithë, jam shumë rehat”.
Sa i takon temës së Kombëtares, anësori ka folur për ecurinë e deritanishme që ka pasur skuadrën nën drejtimin e Panucci, kundrejt të cilit nuk ka kursyer edhe disa shigjetime për aktivizimin e paktë: “U bëra 5 vite te Shqipëria. Tani, në ndeshjet e fundit, nuk kemi pasur shumë rezultate të mira, si me De Biasin. Panucci ka filozofinë e tij, si çdo trajner tjetër. Me të kam luajtur fare pak, pasi nuk më ka dhënë shumë shanse. Ai ka thirrur shumë të rinj, më shumë se 50 lojtarë. Tani, duhet të pres shansin tim.Nuk e di tamam, a mund të luaj edhe në kombëtare në sulm…”
Në fund, pyetjes nëse është më mirë Shqipëria apo Kosova, Lenjanji i është përgjigjur: “Kur kam filluar si futbollist, ishte vetëm kombëtarja kuqezi. Të gjithë e kishim ëndërr të luanim aty. Tani, edhe pasi është krijuar ekipi i Kosovës, ne e ndiejmë veten pjesë të atij ekipi. Natyrisht, pas ndeshjeve toa, menjëherë interesohemi edhe si ka dalë Kosova”.