Liverpool siguron biletën për në finalen e Botërorit

Sport

Pasi u shpall kampion i Evropës, Liverpool do të luajë të shtunën në Doha edhe mundësinë për t’u bërë klubi kampion i botës, trofeu i vetëm që i mungon. Të besuarit e Klopp mposhtën të mërkurën meksikanët e Monterey-n në gjysmëfinalen e Botërorit të Klubeve me rezultatin e ngushtë 1-2. Ishin “Reds” ata që edhe pse pa Mane’, Firmino e Van Dijk në formacionin titullar, zhbllokuan rezultatin me Naby Keita në minutën e 12-të, pas një pasimi të mrekullueshëm të Mohamed Salah. Ish-lojtari i Leipzig nuk gaboi përpara portierit kundërshtar. Mirëpo avantazhi i Liverpulit zgjati vetëm dy minuta pasi skuadra meksikane ka barazuar me Funes Mori, i cili përfitoi nga një përgjumje në mbrojtje e skuadrës angleze. Përpjekjet e mëdha sidomos nga ana e meksikanëve, nuk dhanë rezultat përgjatë kohës së rregull. U desh të vinin minutat shtesë, që Arnold të shërbente për brazilianin Firmino, i cili edhe pse kishte vetëm 5 minuta në fushë, arriti të bëhej vendimtar, duke shënuar golin që i jep të drejtën Liverpulit për të kaluar në finalen e Kupës së Botës për klube, aty ku të shtunën e pret Flamengo. Brazilianët fituan të martën me rezultatin 3-1 ndaj Al-Hilal, duke përmbysur rezultatin që fillimisht i pa në disavantazh kampionët e Amerikës së Jugut.